LAJMI I FUNDIT:

Çmimi i produkteve medicinale, SHDPFMFK shpreh shqetësim për efektet që do të ketë ligji: Në shumë raste detyron shitjen nën vlerën e furnizimit

Çmimi i produkteve medicinale, SHDPFMFK shpreh shqetësim për efektet që do të ketë ligji: Në shumë raste detyron shitjen nën vlerën e furnizimit
Foto: Ilustrim

Shoqata e Distributoreve për Produkte Farmaceutike dhe Medicinale e Kosovës (SHDPFMK) ka shprehur shqetësim për efektet që do t’i ketë Ligji Nr. 08/L220 për Çmimin e Produkteve Medicinale, së bashku me vendimin Nr. 208-XII-2024, të datës, 23.12.2024, që në shumë raste detyron shitjen e produkteve farmaceutike nën vlerën e furnizimit (të çmimit CIP).

Në reagimin e SHDPFMK-së thuhet se përkundër opinioneve dhe deklaratave nga Ministria e shëndetësisë se janë përllogaritë të gjitha shpenzimet e transportit dhe shpenzimeve të tjera operative për kompanitë farmaceutike, duke i shtuar edhe një marzhë fitimi prej 7.5% kjo nuk qëndron.

Shoqata më poshtë jep arsyet pse nuk qëndron kjo:


Nuk janë kalkuluar shpenzimet operative (paga, ruajtja e produkteve farmaceutike që kërkon kushte te veçanta, energjia, karburantet, qiraja, mirëmbajtja e depos farmaceutike sipas standardeve etj) të cilat për shumicën e anëtareve të SHDPFMK arrijnë shifrën e 12-18 % të qarkullimit të tyre.

Nuk është kalkuluar pagesa e lejeve të importit 1% pranë Agjencionit të Barnave të Kosovës (AKPPM)

Nuk është kalkuluar pagesa e banderolave

Nuk është kalkuluar licenca si qarkullues farmaceutik me shumice

Nuk janë kalkuluar shpenzimet për mirëmbajtjen e Marketing Autorizimit dhe variacionet e produkteve farmaceutike sipas Udhëzimit Administrativ 

Nuk janë kalkuluar shërbimet e distribuimit të produkteve farmaceutike që kërkon standarde të veçanta sipas udhëzimit administrativ.

Nuk janë kalkuluar kostot e transportit, ruajtjes dhe sigurimit.

Nuk kanë konsideruar inflacionin e dy viteve të fundit dhe rritjen e çmimeve që ka prekur të gjitha produktet jetësore duke përfshirë edhe ato farmaceutike.

“Pra, si pasojë e gjithë kësaj një numër i madh i produkteve farmaceutike (rreth 50% të produkteve) çmimet e shitjes së përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë sipas listës së publikuar janë nën çmimin e importit CIP ose janë pa marzhë për mbulimin e shpenzimeve operative dhe pa gjenerim të fitimit për kompanitë distributore.

Ulja e çmimit për shitje (nën çmimin CIP të importit) nuk ka bazë ekonomike e as logjike pasi vlera e furnizimit për shumë produkte të importuara është më e lartë sesa çmimi që na imponohet për shitje dhe kjo situatë e krijuar është sfidues për bizneset e anëtarëve të shoqatës tonë”, thuhet në reagim. /Telegrafi/