Kur Vladimir Putini u caktua si president në detyrë i Rusisë – në fillim të vitit 2000 – ish-agjenti i inteligjencës ishte enigmë për shumëkënd. Seksioni Në Histori [In History në BBC] shqyrton se si ky lider i befasishëm i mbijetoi një fëmijërie të vështirë, për t’u ngjitur në pushtet në Kremlin.
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: ‘He is an introvert – a man of deeds, not words’: How Vladimir Putin rose to power in Russia)
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti rus Boris Yeltsin bëri njoftimin tronditës më 31 dhjetor 1999, se po jepte dorëheqjen, duke u thënë shikuesve në televizion se Rusia kishte nevojë për “politikanë të rinj, fytyra të reja, njerëz inteligjentë, të fortë dhe energjikë”. Në mes të korrupsionit të përhapur dhe problemeve të mëdha politike e sociale, presidenca e Yeltsinit ishte bërë gjithnjë e më jopopullore dhe e paparashikueshme. Edhe pse ai luajti një rol kyç në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, periudha e tij në pushtet ishte një kohë traumatike për Rusinë, e cila kaloi nga një ekonomi komuniste e drejtuar nga shteti në një ekonomi të tregut të lirë.
Në mesnatë, pasardhësi i Yeltsinit, Vladimir Putin, mbajti fjalimin e tij të parë televiziv si president në detyrë. “Nuk do të ketë vakum pushteti”, premtoi ai. Por, pati edhe një paralajmërim. “Çdo përpjekje për të tejkaluar kufijtë e ligjit dhe të Kushtetutës ruse, do të shtypet në mënyrë të vendosur”, deklaroi ai. Putini, i ligshtë, vital dhe esëll, u bë i pëlqyer në një vend të mësuar me sjelljen e çrregullt të Yeltsinit, i cili ishte aq i dhënë pas pijes dhe i sëmurë, saqë ndonjëherë bëhej lajm vetëm nga fakti që arrinte të shkonte në zyrë.
Kur Putini u bë kryeministër në gusht të vitit 1999, ai ishte një ish-agjent i KGB-së, i zgjedhur nga anonimiteti. Në fund të vitit, kur u emërua si president në detyrë, ai fitoi popullaritet për qëndrimin e tij të ashpër ndaj luftës në Republikën separatiste të Çeçenisë. Kur zgjedhjet u mbajtën në mars 2000, Putini u konfirmua si president, pasi siguroi gati 53 për qind të votave në raundin e parë. Sondazhet sugjeronin se shumica e rusëve dëshironin mbi të gjitha stabilitet ekonomik. Mesazhi bazë i Putinit, për votuesit, ishte se ai do ta bënte Rusinë sërish të fuqishme.
Lideri i ri i vendit më të madh në botë, ishte ngjitur në majë duke lënë pas vetes shumë pak gjurmë. Ishte e qartë se 47-vjeçari ishte një njeri që pëlqente të dukej dhe të fliste ashpër – një mjeshtër i xhudos me brezin e zi, i cili bënte deklarata të tilla si “shkelësit e ligjit janë si minj që duhen shtypur”. Por, kush ishte ai në të vërtetë?
Putini u rrit në Shën Petersburg, atëherë i njohur si Leningrad. I themeluar nga Cari Pjetri i Madh, ai ishte një qytet i mbushur me ndikime perëndimore, por gjithashtu me jehona të së kaluarës madhështore perandorake të Rusisë. BBC-ja foli në vitin 2001 me trajnerin e vjetër të xhudos të Putinit, i cili tha se ai ishte një nxënës i shkëlqyer që kishte potencial për të qenë pjesë e ekipit olimpik. Anatoli Rahlin shpjegoi se Putini ishte gjithmonë i vendosur për të fituar, nëse jo me forcë të pastër, atëherë duke i tejkaluar kundërshtarët me dinakëri: “Ai mund të hidhej me të njëjtën aftësi në të dyja drejtimet, majtas dhe djathtas. Dhe, kundërshtarët e tij, duke pritur një hedhje nga e djathta, nuk e shihnin atë që vinte nga e majta, kështu që ishte mjaft e vështirë për ta mundur, sepse ai vazhdimisht i mashtronte ata”.
Putini lindi në vitin 1952, shtatë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – pas rrethimit të Leningradit, gjatë të cilit u vra vëllain e tij më të madh dhe prindërit e tij mezi mbijetuan. Ai u rrit në një apartament të mbipopulluar komunal, me një kuzhinë dhe banjë të përbashkët, të mbushur me minj dhe bubuzhela. Ai ka përmendur në autobiografinë e tij se, si fëmijë, duhej të luftonte me minjtë në shkallët e ndërtesës së tij. Ai shkroi: “Një herë pashë një mi të madh dhe e ndoqa përgjatë korridorit derisa e shtyva në një cep. Papritur, ai më sulmoi dhe u hodh drejt meje. U hodh poshtë shkallëve dhe u zhduk”.
Toni i anekdotës së tij të famshme për minjtë në cep, bëhet më shumë ose më pak agresiv në varësi të audiencës së tij, ka thënë profesoresha Nina Khrushcheva, stërmbesa e ish-kryeministrit sovjetik Nikita Khrushchev. Duke folur në podkastin Putin në BBC, në vitin 2023, ajo tha: “Ai zgjedh ta tregojë atë gjatë gjithë kohës, për të shpërfaqur rritjen e tij modeste, se sa ka arritur dhe çfarë lloj armiqsh ka duruar gjatë jetës së vet; si filloi duke përballuar krijesa nga format më të ulëta dhe më pas u ngrit për të përballuar gjithë llojet e armiqve, të huaj dhe vendas”.
Mikesha e fëmijërisë së Putinit, psikologia Maria Osorina, i tha BBC-së në vitin 2003 se në mjedisin e ashpër ku ishin rritur, mbizotëronte “mbijetesa e më të fortit”. “Ai ishte i vogël, i imët dhe mjaft i dobët, sepse kishte lindur nga prindër të moshuar, dhe për të ishte shumë e rëndësishme të bëhej i fortë që të mos rrihej”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se familja e tij kishte vlera të forta për detyrën, patriotizmin dhe besnikërinë. “Prindërit e tij e donin shumë. Ai ishte qendra e botës së tyre, djali që kishin ëndërruar prej kohësh. Por, karakteri i tyre ishte shumë i rezervuar – nuk i shprehnin vërtet emocionet e tyre. Babai i tij ishte jashtëzakonisht i ftohtë, dhe nëna e tij gjithashtu. Nuk do t’u kishte shkuar kurrë në mendje ta puthnin të birin në publik – kjo s’do t’u kishte ndodhur kurrë”.
Miqtë dhe të njohurit e kujtonin Putinin e ri si një djalë të zgjuar, por të mbyllur në vetvete. “Ai nuk ishte kurrë në qendër të vëmendjes”, ka thënë për BBC shoku i shkollës, Sergei Kudrov, në vitin 2001. “Ai preferonte të ndikonte në ngjarje nga distanca, një lloj ‘kardinali në hije’, siç thuhet. Shumë më ndryshe nga Boris Yeltsini. Kujtoni se si u ngjit mbi një tank dhe u bëri shenjë të gjithëve që ta ndiqnin? Nuk mund ta imagjinonit kurrë Putinin duke bërë diçka të tillë. Ai është introvert – një njeri i veprave, jo i fjalëve”.
Ai kishte një dëshirë romantike për t’u bërë agjent i KGB-së dhe për t’i shërbyer vendit të tij në fshehtësi – ndoshta puna ideale për dikë që i shmangej vëmendjes. Sipas rrëfimit të tij, frymëzimi i tij ishte filmi sovjetik i vitit 1968, Mburoja dhe shpata. Filmi tregon historinë e një agjenti të dyfishtë rus në Gjermaninë e kohës së luftës, i cili vidhte dokumente për të sabotuar operacionet naziste, ndërsa shtirej si shofer.
Putini nuk u tërhoq kurrë nga ambicia e tij e fëmijërisë për t’u bërë oficer i shërbimit sekret, duke ndjekur këtë synim gjatë gjithë universitetit dhe trajnimit në KGB. Kur ishte 16 vjeç, ai hyri në selinë lokale të KGB-së dhe kërkoi një punë. Ata i thanë të studionte drejtësinë dhe të priste. Gjashtë vjet më vonë, ai u rekrutua nga agjencia. Për më shumë se 16 vjet, Putini do të bënte jetë të dyfishtë si agjent. Kur ra Muri i Berlinit, ai ishte duke shërbyer në Gjermaninë Lindore. U kthye në një Rusi ku të gjitha siguritë e vjetra po shembeshin.
Në vitin 1991, Putini u bë zëvendës i kryetarit të ri të Leningradit, Anatoly Sobchak. Kur Sobchaku humbi zgjedhjet, Kremlini kërkoi Putinin. Ndërsa administrata e Yeltsinit po i afrohej fundit, Putini u ngrit në mënyrë të heshtur, derisa në vitin 1999 u emërua kryeministër. Njeriu nga askundi papritur ishte përnjëherë gjithkund.
Për mikeshën e tij të vjetër, Maria Osorina, në vitin 2003 udhëheqja e tij ishte një frymë e re: “Kam lindur në vitin 1950 dhe që atëherë nuk kemi pasur kurrë një udhëheqës që ishte i këndshëm për t’u parë. Nuk më ka pëlqyer asnjëri prej tyre. Putini është personi i parë që drejton Rusinë që nga Revolucioni dhe që vërtet më pëlqen. Ai është i pari njeri normal, i pari për të cilin nuk na vjen turp”.
Putini ka qenë në pushtet për një çerek shekulli, më gjatë se çdo udhëheqës i Kremlinit që nga diktatori sovjetik Joseph Stalin. Tani që ai është 72 vjeç dhe në mandatin e tij të pestë si president, shkroi Paul Kirby nga BBC më herët këtë vit, “është zhdukur çdo formë e opozitës ndaj sundimit të tij dhe ka pak gjasa që ndonjë gjë ta ndalojë atë të qëndrojë në pushtet – nëse dëshiron, deri në vitin 2036”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFundi tragjik i intelektualit Qemal Draçini: Para se të vdiste nga torturat, thërriste nënën ...
Do të doja që librat e mi të botoheshin pas vdekjes
Për ngritjen e Milosheviqit, “të gjitha fajet i ka byrekxhiu shqiptar”!
Introverti i ligshtë që kishte frikë nga rrahjet: Ngritja e Putinit në pushtet!
Fjalimi i Skënderbeut!?
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Videoja e BBVA që po bëhet virale, G Bani dhe Laerti flasin greqisht me gjuhë denigruese dhe kërcënuese për Gjestin
Jashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën
Situatë tejet e tensionuar mes Rozanës dhe Gertës në BBVA, G Bani hyn në mes që t'i ndajë
Kontrata e shekullit në futboll: Përveç milionave, Ronaldo po bëhet edhe bashkëpronar te Al Nassr
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime