LAJMI I FUNDIT:

Rritet niveli i ujit në liqenin e Fierzës, përmirësohet situata hidrike

Rritet niveli i ujit në liqenin e Fierzës, përmirësohet situata hidrike

Reshjet e stinës kanë rritur nivelin e ujit në Hidrocentralin e Fierzës në 270 metra. Në këtë situatë, garantohet më shumë prodhim energjie dhe ulet varësia nga importi.

Moti nuk ishte shumë i favorshëm për prodhimin e energjisë elektrike në vitin 2024, deri në stinën e vjeshtës.

Mungesa e reshjeve i uli kuotat në hidrocentralin e Fierzës dhe furnizimi me energji u bë i kombinuar nga importi dhe prodhimi vendas.


Por në muajin dhjetor, reshjet e shiut dhe dëborës ndikuan pozitivisht në Drin, duke ngritur nivelin e liqenit në Fierzë mbi 270 m mbi nivelin e detit dhe duke shtuar prurjet e ujit në 200 m³ në sekondë.

Ndërkohë, parashikohet që nga klima e janarit, niveli i ujit të ngrihet afër pikës maksimale 296 m.

Për menaxhimin e situatës, sot hidrocentrali i Fierzës po prodhon energji elektrike me kapacitet të reduktuar, me një nga katër turbinat, me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike.

Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në periudhën janar–tetor 2024 u prodhua rreth 6,4 teravat energji, ose 0,7 teravat më pak se 10-mujori i vitit 2023.