LAJMI I FUNDIT:

Demokracia në Veprim: Keqpërdorimi i resurseve publike cenon integritetin e garës zgjedhore

Demokracia në Veprim: Keqpërdorimi i resurseve publike cenon integritetin e garës zgjedhore

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV) mbajti sot një konferencë për media, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përfaqësuesit e DnV-së, Ismet Kryeziu, Mexhide Demolli Nimani dhe Rezarta Delibashzade Krasniqi, bënë thirrje për një garë të barabartë, transparencë, liri të shprehjes dhe shmangie të keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

DnV kërkoi një proces të drejtë ku të gjithë kandidatët dhe partitë politike të kenë mundësi të barabarta për konkurrim.


Një shqetësim i veçantë ishte moscertifikimi fillestar i Listës Serbe nga KQZ-ja, që u kundërshtua nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.

Ky rast ngriti pikëpyetje mbi ndërhyrjet politike dhe mungesën e profesionalizmit brenda KQZ-së.

Keqpërdorimi i resurseve publike

Përdorimi i resurseve shtetërore për qëllime elektorale u kritikua ashpër.

DnV përmendi shpërndarjen e 100 eurove për qytetarë nga qeveria dhe promovimet e projekteve publike si masa që mund të ndikojnë votuesit.

Veçanërisht, përfshirja e kryeministrit Albin Kurti në ceremoni publike të punësimeve u konsiderua shqetësuese për integritetin e garës zgjedhore.

Liria e fjalës dhe mbledhjeve

DnV kërkoi respektimin e lirisë së fjalës dhe të drejtës për organizimin e tubimeve politike pa pengesa apo frikësime.

Në konferencë u theksua mungesa e debateve të drejtpërdrejta mes liderëve të pozitës dhe opozitës, duke u konsideruar si vakum në procesin zgjedhor.

Mediat u lavdëruan për mbulimin e gjerë të aktiviteteve politike, megjithatë, DnV theksoi nevojën për qasje të barabartë për të gjitha partitë dhe shmangie të mbulimit të njëanshëm.

Financimi dhe shpenzimet e fushatës

DnV vërejti rritje të shpenzimeve për marketing digjital dhe aktivitete vizuale gjatë fushatës. Sipas tyre, transparenca në raportimin financiar është thelbësore për ndershmërinë e procesit zgjedhor.

DnV prezantoi platformën digjitale SmartVote Kosova, e krijuar nga KDI dhe Politools nga Zvicra.

Platforma u ofron qytetarëve mundësinë të identifikojnë përputhjet e tyre me partitë politike përmes një pyetësori online, duke promovuar një diskurs zgjedhor të bazuar në ofertat programore.

Rekomandimet e DnV-së

Në përfundim, DnV bëri thirrje për: Fushatë të lirë dhe transparente, neutralitet institucional, përfshirje të grupeve të margjinalizuara, transparencë në shpenzimet e fushatës, garantimin e një gare të barabartë zgjedhore.

Koalicioni inkurajoi qytetarët, partitë dhe institucionet të angazhohen për një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe demokratik./Telegrafi/