LAJMI I FUNDIT:

Pa zërin e saj, ajo nuk do ta kishte veten: Kush ishte Maria Callas?

Pa zërin e saj, ajo nuk do ta kishte veten: Kush ishte Maria Callas?

Nga: David Smith / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

“Zonja ime është ylli më i madh”.

Këto fjalë thuhen nga Max Von Mayerling, shërbëtori i yllit të tretur në harresë, Norma Desmond, në filmin Sunset Boulevard. Por, ato mund të thuheshin po aq lehtë nga Ferruccio Mezzadri, i cili për 20 vjet ishte shërbëtor i divës Maria Callas. Pas tërheqjes nga skena operistike, Callas kaloi një jetë kryesisht të izoluar në Paris.


Mezzadri mbeti shërbëtori i saj besnik dhe i përkushtuar deri në fund – dhe më tej. Gati gjysmë shekulli pas vdekjes së Callasit, ai nuk ka folur kurrë keq për të, as ka zbuluar sekretet e saj. Ai çon një jetë të qetë në Itali, në një shtëpi të mbushur me kujtime, e cila ngjan me një tempull kushtuar sopranos së ndjerë. Por, tani, në moshën 93-vjeçare, Mezzadri e gjen veten papritur dhe sërish në qendër të vëmendjes.

Ai ndau kujtimet e tij për Callasin me skenaristin britanik Steven Knight për Maria-n, një film biografik i Netflix-it që eksploron ditët e fundit të Callasit në Paris, në shtator të vitit 1977, ndërsa ajo reflekton mbi të kaluarën dhe përpiqet të rikthejë zërin e saj. Filmi përshkruan një lidhje të veçantë mes Callasit dhe Mezzadrit, i cili, në një moment, shfaqet duke sulmuar një gazetar për ta mbrojtur atë.

Në një skenë tjetër, Callas, e luajtur nga Angelina Jolie, thotë:

“Kur të shkruaj autobiografinë time, do ta titulloja Dita kur Ferruccio më shpëtoi jetën”.

Mezzadri, i luajtur nga Pierfrancesco Favino, pyet:

“Dhe cila ditë do të ishte ajo, zonjë”?

Callas përgjigjet:

“Çdo ditë. Çdo ditë. Prandaj, të urrej. Bie në një lumë dhe ti gjithmonë më nxjerr jashtë.”

Mezzadri thotë butësisht:

“Po, zonjë”.

Callas pastaj e urdhëron:

“Më rezervo një tavolinë në kafenë ku kamerierët e dinë kush jam. Jam në disponim për t’u adhuruar”.

Regjinë e filmit Maria e ka bërë Pablo Larraín dhe është i treti në një trilogji jozyrtare – pas filmave të tij të mëparshëm, Jackie, që fokusohet te Jacqueline Kennedy pas funeralit të bashkëshortit të saj John F. Kennedy, dhe Spencer, që përshkruan Princeshë Dianan gjatë një vizite në një nga pronat e Mbretëreshës. Ndryshe nga këto dy gra, të cilat u bënë të famshme për shkak të martesës, Callas – diva e përjetshme (fjala “diva” do të thotë “hyjneshë” në italisht) 0 shpesh dukej sikur fluturonte e vetme.

Ajo lindi në Nju-Jork në vitin 1923 nga prindër emigrantë grekë. Në moshën 13-vjeçare, u shpërngul në Athinë me nënën dhe motrën e saj dhe u regjistrua në Konservatorin e Athinës, ku iu nënshtrua një trajnimi rigoroz vokal në traditën italiane të bel canto-s. Karrierën e saj profesionale e nisi në moshën 17-vjeçare, duke performuar në Operën Mbretërore të Athinës.

Në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50 të shekullit XX, karriera e Maria Callasit lulëzoi në Itali. Suksesi i madh erdhi në vitin 1949 me një interpretim të La Xhokondës në Arenën e Veronës, ku ajo takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, Giovanni Meneghini. Reputacioni i saj ndërkombëtar u konsolidua me performancat e saj në La Scala në Milano, Covent Garden në Londër dhe në Metropolitan në Nju-Jork.

E njohur nga adhuruesit e saj si La Divina (Hyjnorja), Callas ishte e famshme për fleksibilitetin e saj në vokal, aftësinë për të përcjellë një gamë të gjerë emocionesh dhe për përkushtimin e saj ndaj realizmit dramatik. Ajo ishte një pioniere që theu barriera për gratë në botën e operës, duke kërkuar pagesë të barabartë dhe duke sfiduar status quo-në.

Ajo ishte gjithashtu një figurë jashtëzakonisht e pavarur dhe shpesh kontroverse, e njohur për temperamentin e saj labil dhe për standardet e larta. Është cituar të ketë thënë: “Do të jem gjithmonë po aq e vështirë sa është e nevojshme për të arritur më të mirën”.

Megjithatë, në mesin e viteve ’50 të shekullit XX, ajo filloi të përjetonte vështirësi në vokal që çuan në anulime koncertesh. Në film, Callas qorton një adhurues që guxon të vërë në dyshim se ajo kishte simuluar sëmundjen për të shmangur një performancë. Teoritë për shkakun e rënies së saj variojnë nga lodhja e tepërt deri te humbja drastike e peshës. Dëshmitë mjekësore sugjerojnë se ajo mund të ketë vuajtur nga dermatomioziti, një sëmundje autoimune që mund të ndikojë në funksionin e muskujve, përfshirë kordat vokale.

Në shënimet e produksionit të ofruara nga Netflix-i, Steven Knight thekson: “Maria kishte marrëdhënien më të ndërlikuar të mundshme me zërin e saj, thuajse ndjente se zëri i saj nuk dallonte nga shpirti i saj. Me fjalë të tjera, pa zë ajo nuk e kishte vetveten, ose ndoshta vetja e saj bëhej e padukshme. Ajo gjykohej gjithmonë për zërin e saj dhe, në mënyrë më mizore, për paraqitjen e saj fizike. Ishte tragjedi e vërtetë, në kuptimin e plotë të fjalës, që kur pamja e saj ishte e pranueshme për të, zëri i saj dobësohej. Kur ndihej e shëmtuar, zëri i saj ishte më i fortë. Si mund të përballojë dikush këtë kur zëri është identiteti yt”?

Martesa e Callasit me Meneghinin përfundoi në vitin 1959 dhe ajo filloi një lidhje me magnatin grek të transportit detar, Aristotel Onassis. Marrëdhënia e tyre e zjarrtë dhe e trazuar ishte në qendër të mediave për vite me radhë, duke përfunduar me thyerjen e zemrës së Callasit pasi Onassis u martua me Jacqueline Kennedyn në vitin 1968.

Larraín komenton përmes Netflix-it: “Mendoj se Aristotel Onassisi ishte dashuria e jetës së saj dhe mendoj se ata kaluan momente të ndryshme në marrëdhënien e tyre. Ata ishin shpesh të afërt në vitet ’70, pas ndarjes së Onassisit nga Jackie, por ishte gjithashtu një marrëdhënie toksike, mendoj unë. Ajo mund të shkëputej nga bota dhe të linte çdo gjë nën kontrollin e tij. Besoj se kishte momente në marrëdhënien e tyre që nuk ishin shumë të shëndetshme. Por, mendoj gjithashtu se ata arritën në një mirëkuptim, në fund të jetës së tyre, për atë se si ishin si individë dhe si çift”.

Callas nuk gjeti kurrë një njeri po aq besnik sa Mezzadri, i cili ishte rritur në varfëri dhe, për shkak të një defekti në zemër, nuk mundi të shërbente në ushtri. Në vend të kësaj, ai ishte i detyruar të bënte shërbim social dhe përfundoi duke punuar për gruan e një kompozitori të njohur. Së shpejti, rrugët e tij u kryqëzuan me Callasin dhe ai u punësua si shërbëtor i saj. Ai filloi të punonte për të në Milano dhe më pas e ndoqi atë në Paris, ku mësoi të fliste frëngjisht.

Mezzadri ka qenë subjekt i një monologu skenik, Maria Callas, Perla e Zezë, shkruar nga Federica Nardacci dhe interpretuar nga Marco Gambino. Të dy e takuan atë në shtëpinë e tij në vitin 2018. Gambino, një aktor italian, mbetet në kontakt me Mezzadrin dhe thotë se ai është ende besnik ndaj Callasit.

Duke folur në telefon nga shtëpia e tij në Londër, Gambino, 67 vjeç, shpjegon: “Ai ka këtë ndjenjë mbrojtjeje ndaj saj dhe kushdo që përpiqej të ndryshonte gjendjen e saj hyjnore, dënohej ashpër, duke filluar nga z. Onassis e deri te Jacqueline Kennedy. Sa herë që fillon të flasësh për këta njerëz, ai thotë: ‘Jo, jo, jo, jo, ata ishin të këqij, ata ishin të këqij. Zonja ime ishte aq e ndjeshme dhe ata e shkatërruan atë’”.

Pasi u tërhoq nga opera, Callasi dha leksione në Nju0Jork dhe bëri përpjekje të shkurtra për t’u rikthyer në skenë me koncerte dhe një rol filmi. Megjithatë, zëri i saj nuk u rikuperua kurrë plotësisht dhe ajo jetoi në një apartament të mrekullueshëm në Paris, deri në vdekjen e saj nga një sulm në zemër në vitin 1977, në moshën 53-vjeçare. Papritur, Mezzadrit iu desh ta fillonte jetën nga e para.

Gambino vazhdon: “Gjërat më interesante që ai tha ishin për veten e tij dhe se si kalimi i 20 viteve me këtë zonjë e bëri jetën e tij të veçantë, por të vështirë për të filluar nga e para pas vdekjes së saj. Ajo vdiq në krahët e tij dhe pas kësaj, kur ke kaluar 20 vjet me dikë të tillë, ku mund të shkosh, çfarë mund të bësh? Ai ishte 40 vjeç, pra gjysmën e jetës së tij e kishte kaluar me të. Ai u përpoq të bëhej shërbëtor për ndonjë aktor, por thjesht nuk mundi. Me paratë që ajo i la – nuk mendoj se ishin shumë – ai bleu një shtëpi të re në të njëjtën zonë ku jetonin prindërit e tij, pranë një shtëpie të vogël afër Piaçencës, dhe aty ka jetuar që atëherë”.

Filmi i Larraínit është shtesa më e fundit në legjendën e Callasit. Interpretimet e saj dramatike, fleksibiliteti në vokal dhe prania e saj mbresëlënëse në skenë ndryshuan përgjithmonë fytyrën e operës. Incizimet e saj, përfshirë interpretimet e veprave Norma, La Traviata dhe Toska, janë ende të nderuara sot.

Gambino reflekton: “Gjithçka nisi prej saj: tani këngëtarët e operës duhet të dinë si të aktrojnë dhe jo vetëm si të këndojnë. Kjo është e rëndësishme dhe e bën operën shumë më tërheqëse, sepse shkon në operë për të parë aktrim, përveç këndimit. Ajo donte të ishte aktore, përveçse këngëtare. Për brezat e rinj, mendoj gjithmonë se dikush si Maria Callas mund të jetë një mënyrë për të takuar operën në një mënyrë më ndryshe dhe më emocionuese, sepse ajo është si një yll i muzikës rok. Po shikoja disa fragmente të kohës, kur ajo u kthye në Metropolitan në vitet ’50 dhe njerëzit prisnin në radhë për 24 orë. Mosha mesatare e këtyre njerëzve ishte rreth 15-16 vjeç sepse ajo ishte një divë, por jo vetëm kaq. Ajo ishte një performuese e jashtëzakonshme”.

Ai shton: “Zëri i saj nuk ishte ai zëri i bukur që të garanton një performancë të mahnitshme. Zëri i saj ishte, në fakt, edhe më interesant, sepse ajo mund të dështonte. Ajo që më pëlqen te Maria Callas është e papritura, të metat që alternohen me momente hyjnore. Kur je e tillë, ato momente të përsosmërisë nuk mund të krahasohen me asnjë performancë tjetër. Je unike”. /Telegrafi/