LAJMI I FUNDIT:

Senatit të UP-së i duhet kohë për të vendosur për rastin e profesorit Enver Hasani

Senatit të UP-së i duhet kohë për të vendosur për rastin e profesorit Enver Hasani

Senati i Universitetit të Prishtinës (UP) në mbledhjen e datës 27.11.2024 nuk i dha zgjidhje rastit të profesorit të Fakultetit Juridik, Enver Hasanit, që u trajtua nga Këshilli i Etikës i UP-së.

Arsyeja pse Senati i UP-së nuk i dha zgjidhje rastit të profesorit Hasani doli të jetë një deklarim gjatë mbledhjes së Senatit nga kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Blerta Zeqiraj.

Zeqiraj tha se këto dy ditë kanë marrë edhe kërcënime nga senatorët e UP-së se si të votojnë në Senat për rastin e profesorit Hasani.


“Ne ose unë personalisht kam pasë ndoshta edhe mesazhe edhe nëpërmjet njerëzve, edhe telefonata, ndoshta edhe kërcënime se qysh sot me votu, a të votoj kundër, a të votoj pro a të abstenoj apo a të dal krejtësisht nga mbledhja. Unë po besoj që mesazhet, nuk jeni ju … Po besoj se ata persona janë këtu të pranishëm… besoj e marrin mesazhin që na si Parlament Studentor nuk përkrahim individë për atë se çka është e drejtë”, ka deklaruar Zeqiraj më 27.11.2024.

Pas deklarimit të Zeqirajt, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, vendosi që pika 9 e rendit të ditës të mbledhjes së sotme të Senatit të UP-së, në të cilën ishte planifikuar të flitet për rastin e Hasanit, të shtyhet për mbledhjen e radhës të Senatit.

Hajrullahu sqaroi se u duhet një muaj kohë pasi do ta përfshijnë rastin e profesorit Enver Hasani në mesin e rasteve që do t’i shqyrtojë një komision ad-hoc për të gjithë rektorët me marrëdhënie të rregullt pune në UP. Hasani ka qenë rektor i UP-së.

Hajrullahu premtoi se rastin e Hasanit do ta fusë në agjendë të një mbledhjeje të Senatit të UP-së për ta zgjidhur.

“Ky është vullneti sa po e konstatoj unë që pika e nëntë e rendit të ditës të shtyhet faktikisht për mbledhjen e radhës… Konstatoj që pika 9 pas diskutimit gjithpërfshirës besoj secili, secila e tha mendimin e vet në frymë janë shumë për, asnjë nuk qe kundër që mos me u kthy ligjshmëria në këtë vend… Kur ka pritur prej 15.07.2009 deri më tani, 27.11.2024, nuk është fundi  i botës e besoj që edhe nga organet e rendit do të kenë mirëkuptim që neve na nevojitet kohë”, ka thënë rektori Hajrullahu.

Senati i UP-së votoi që të krijohet komisioni ad-hoc për shqyrtimin e të gjithë rektorëve të UP-së me marrëdhënie të rregullt pune për mënyrën se si janë avancuar deri te rektori aktual, Arben Hajrullahu.

Në fillim të shqyrtimit të rastit të Hasanit nga Senati i UP-së, Hajrullahu tha se e kanë shqyrtuar këtë rast tre juristë të cilët nuk janë nga UP-ja.

Me këtë rast, ai kishte ardhur me një njoftim dhe propozim në Senat se si të zgjidhet rasti i Hasanit.

Sa i përket njoftimit për këtë rast, Hajrullahu tha se vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së për profesorin Hasani, i marrë më 25.09.2024, i ka kaluar afati.

Duke u mbështetur në rregulloren numër 857 të UP-së, Hajrullahu përmendi se është dashur të merret vendim brenda 30 ditësh nga momenti i paraqitjes së shkeljes.

Sipas llogaritjes, Hajrullahu tha se është dashur që deri në fund të ditës së 25.09.2024 të merret vendim për këtë rast. Edhe pse Këshilli i Etikës i UP-së kishte marrë vendim më 25.09.2024, vendimi ishte protokolluar në UP më 27.09.2024.

“Pas rishikimit të bazës ligjore është konstatuar se ky vendim ka tejkaluar afatin e lejuar sipas rregullores 857 për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës për t’u aprovuar në Senatin e UP-së”, ka theksuar Hajrullahu.

“I njëjti vendim është pranuar nga arkivi i Universitetit të Prishtinës më 27.09.2024, si rrjedhojë hapat e paraparë: 1. marrja e vendimit, 2. prezantimi te rektori dhe 3. procedimi në Senat, nuk janë përmbushur brenda afatit të caktuar dhe kanë tejkaluar afatin e lejuar prej 30 ditësh kalendarike pas paraqitjes së shkeljes” – ka shtuar Hajrullahu.

Kurse, propozimi i Hajrullahut për rastin e Hasanit në Senat ishte që Hasani të kthehet në thirrjen akademike që kishte qenë para marrjes së vendimit për t’u avancuar jashtëligjshëm.

“Me rastin e anulimit të vendimeve, z. Enver Hasani do të kthehet në thirrjen akademike që kishte përpara marrjes së vendimit të anuluar. Për më tepër, në përputhje me nenin 59 të LPPA-së (Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative), të gjitha pagesat dhe kontributet që janë paguar nga Universiteti i Prishtinës në bazë të aktit të anuluar do të kthehen. Kjo masë do të llogaritet nga Universiteti i Prishtinës në përputhje me dispozitat për pasurimin e pabazë sipas legjislacionit civil”, ka propozuar Hajrullahu.

Por, ky propozim nuk arriti të votohet nga senatorët e UP-së pasi u vendos që të shtyhet rasti i Hasanit në mbledhjen e radhës të Senatit.

Më 30.09.2024, KALLXO.com ka raportuar se Këshilli i Etikës i UP-së i ka rekomanduar Senatit të UP-së ta miratojë një vendim nga mbledhja e mbajtur më 25.09.2024, përmes së cilit do të merreshin disa masa ndaj profesorit Hasani.

Sipas vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së, profesori Hasani do të pësonte: degradim, ulje të gradës akademike nga profesor i rregullt në profesor i asociuar; revokim të mirënjohjeve dhe privilegjeve honorifike të Hasanit si ish-rektor i UP-së; mohim të pjesëmarrjes së Hasanit në komisione profesionale për tri vjet si dhe përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues.

Profesori Enver Hasani është denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së nga dekani i Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka, se ka bërë disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës të UP-së.

Denoncimi i dekanit Puka ndaj profesorit Hasani përmban tri pretendime kryesore, në të cilat thuhet se: Hasani gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata; ka marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së dhe ka dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik dhe UP-së duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audiovizuele.

Portali kishte kontaktuar me Hasanin, i cili i kishte quajtur “fiktive” pretendimet e dekanit Puka ndaj tij, ndërsa kishte paralajmëruar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj kryesuesit të Këshillit të Etikës të UP-së në atë kohë, Iset Morina.

“Ky vendim do të thotë është i Iset Morinës dhe Avni Pukës. Është huliganizëm klasik institucional, abuzim me pushtetin. Për këtë arsye, unë, javën tjetër do të bëj kallëzim penal kundër Iset Morinës. Vendimi është tërësisht i bazuar në pretendimet personale të Avni Pukës që janë fund e krye fiktive, nuk kanë lidhje me realitetin asnjë” – ka thënë Hasani më 27.09.2024.

Këshilli i Etikës i UP-së kishte vendosur për Hasanin në mungesë të dëshmisë së tij për këtë rast, derisa thotë se i kishin ofruar hapësirën që ai të japë dëshmi. Enver Hasani kishte thënë se kishte refuzuar dëshminë në Këshill të Etikës për shkaqe shëndetësore dhe se kishte kërkuar që të dëshmonte pasi të përfundonte terapinë mjekësore.

Po ashtu, vendimi i Këshillit të Etikës të UP-së është klasifikuar edhe si vërejtje me shkrim për Hasanin, përmes të cilës synohet që Hasani të përmbahet nga çfarëdo përdorimi i gjuhës së papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit të UP-së dhe Universitetit. /Kallxo.com/