LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 4° fog

Kuvendi i Prizrenit miraton Planin Zhvillimor të Arsimit 2025-2027 që përqendrohet në cilësi dhe bashkëpunim

Kuvendi i Prizrenit miraton Planin Zhvillimor të Arsimit 2025-2027 që përqendrohet në cilësi dhe bashkëpunim

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash kanë miratuar Planin Zhvillimor të Arsimit për Komunën e Prizrenit për periudhën 2025-2027.

Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj duke prezantuar këtë plan ka theksuar se kjo politikë publike është produkt i punës së përbashkët të personelit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, të komunitetit të prindërve dhe të organizatave joqeveritare.

“Ky plan zhvillimor komunal u hartua përmes një procesi të strukturuar mirë dhe me pjesëmarrje të gjerë të të gjitha palëve me interes, duke u mbështetur në nevojat reale për zhvillimin e arsimit në Komunën e Prizrenit, si dhe në Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë 2022-2026, të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.


Sipas saj Plani Zhvillimor i Arsimit për Komunën e Prizrenit është përqendruar në shtatë fusha tematike: Qeverisje, udhëheqje dhe menaxhim cilësor në të gjitha institucionet edukative-arsimore të komunës; Mjedisi shkollor i përshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor dhe aktivitetet jashtë mësimore; Përmirësim dhe mbështetje e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit në shkolla; Ndërtimi i vazhdueshëm i kapaciteteve për mësimdhënie cilësore; Përmirësim i vazhdueshëm i cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit në shkolla; Bashkëpunim cilësor dhe efikas në mes të hisedarëve të edukimit dhe të nxënësve dhe Ndërlidhja më e mirë e arsimit profesional me tregun e punës.

Luljeta Veselaj Gutaj, DKA Prizren

Në të njëjtën kohë ka sqaruar se pesë fushat e para tematike përkojnë me pesë fushat e cilësisë, derisa dy fushat e fundit janë përzgjedhur nga komuniteti arsimor i Prizrenit.

“Vizioni i këtij Plani është që të kemi qytetarë të përgatitur me shprehi të të nxënit gjatë gjithë jetës, të mveshur me kompetenca dhe vlera të qytetarisë aktive, të cilët i kontribuojnë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe kulturor”, ka thënë Veselaj Gutaj.

Gjithashtu ka shtuar se misioni parasheh krijimin e një “sistemi gjithëpërfshirës dhe llogaridhënës të arsimit, me menaxhim cilësor dhe mësimdhënës të përgatitur, me mjedise krijuese dhe kushte që sigurojnë edukim dhe arsim cilësor të fëmijëve”.

Veselaj Gutaj ka bërë të ditur se Plani Zhvillimor i Arsimit ka shtatë objektiva strategjikë, nga një për secilën fushë me interes, ku janë përcaktuar masat që çojnë në arritjen e tij, gjithsej 34 syresh.

Ertan Simitçi, YTHP

Gjatë diskutimit në Kuvend, këshilltari Ertan Simitçi (YTHP) ka shprehur dilemën nëse Plani është përkthyer në gjuhën turke. Por pasi janë marrë sqarimet nga zyrtarët komunalë, edhe ai ka konfirmuar se dokumenti është i përkthyer.

Dafina Alishani, LVV

Ndërkaq kuvendarja Dafina Alishani (LVV) ka deklaruar se në shkolla “ka pasur raste të ngacmimeve dhe ato janë mbuluar”. Ajo ka kërkuar që në këtë plan çështja e ngacmimeve të shtjellohet mirë dhe “të ketë masa konkrete disiplinore të paraqitura”.

Por drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj ka shprehur qëndrimin se Plani trajton zhvillimin e arsimit, dhe se për masat e cekura ekzistojnë rregulloret e ligjet që i përcaktojnë politikat disiplinore dhe ndëshkimore.

Pas diskutimeve, Plani është miratuar me 21 vota për dhe 2 abstenime, të 27 kuvendarëve të pranishëm në sallë.

Veselaj Gutaj ka vlerësuar mbështetjen e kuvendarëve për Planin Zhvillimor të Arsimit në Komunën e Prizrenit 2025-2027, duke theksuar për përparim në këtë sektor nevojitet pajtimi publik përtej formacioneve politike. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Sicilia përmbytet nga reshjet e shiut - pamje që tregojnë shkatërrimin në shkallë të madhe nga stuhia

Sicilia përmbytet nga reshjet e shiut - pamje që tregojnë shkatërrimin në shkallë të madhe nga stuhia

Evropa
Zëvendësministri i reagon Bajramit: Doracakët për edukimin seksual u miratuan kur ti ishe ministre e Arsimit

Zëvendësministri i reagon Bajramit: Doracakët për edukimin seksual u miratuan kur ti ishe ministre e Arsimit

Lajme
Parashikoi me saktësi fitoren e Donald Trumpit, FBI kryen bastisje në apartamentin e pronarit të bastores

Parashikoi me saktësi fitoren e Donald Trumpit, FBI kryen bastisje në apartamentin e pronarit të bastores

Amerika
“Doracakët janë botuar në vitin 2023”, Bajrami reagon sërish: Keni prekë në familje - përgjegjësi duhet t'i kërkohet Nagavcit

“Doracakët janë botuar në vitin 2023”, Bajrami reagon sërish: Keni prekë në familje - përgjegjësi duhet t'i kërkohet Nagavcit

Lajme
“Duhet të mendojnë vetëm për këtë”, Adrian Mutu me mesazh të qartë para ndeshjes me Kosovën

“Duhet të mendojnë vetëm për këtë”, Adrian Mutu me mesazh të qartë para ndeshjes me Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës
Largohen pishat që ishin rreth Teatrit Kombëtar të Prishtinës

Largohen pishat që ishin rreth Teatrit Kombëtar të Prishtinës

Rajoni i Prishtinës
Kalo në kategori