LAJMI I FUNDIT:

Publikohet raporti “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”

Publikohet raporti “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”

Hibrid.info ka publikuar raportin “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”.

Në konferencën e prezantimit të këtij raporti të mbajtur sot (11 nëntor) u paraqitën narrativat dezinformuese ruse për Ukrainën dhe, për herë të parë, u krahasuan dhe u trajtua ndërlidhja me ato për Kosovën.

Siç u tha edhe nga hulumtuesit Festim Rizanaj dhe Alban Zeneli, “qëllimi i këtij raporti është t’i identifikojë dhe t’i analizojë narrativat kryesore dezinformuese të Rusisë, si dhe akterët dhe qëllimet që promovojnë këto aspekte të çrregullimit informativ”.


Ky raport, sipas autorëve, identifikon tri lloje kryesore të narrativave, ato gjeopolitike, ato kombëtare-identitare dhe narrativat politike. Në raport, tutje, trajtohen edhe qëllimet e narrativave dezinformuese ruse lidhur me Kosovën, të cilat janë identifikuar në katër pika kryesore: Kontestimi i shtetësisë së Kosovës, analogjia e agresionit në Ukrainë dhe luftës në Kosovë, “Krahasimi” Krime-Kosovë dhe portretizimi i rusëve dhe serbëve si viktimë.

Siç u tha edhe gjatë prezantimit të gjetjeve, kontestimi i shtetësisë së Kosovës është një nga narrativat kryesore të dezinformimit rus, ku Rusia, në kuadër të strategjisë së saj revizioniste për të sfiduar rendin ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë, synon të minojë legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës.

Hulumtuesit kanë bërë të ditur se të dhënat në raport përfshijnë analizimin e literaturave ekzistuese, duke përfshirë raportet dhe lajmet nga grupe ekspertësh vendore dhe ndërkombëtare dhe publikime të tjera, kërkimet në komunikatat zyrtare të institucioneve shtetërore ruse dhe mediat ruse për t’i identifikuar narrativa kryesore ndërlidhur me Kosovën dhe artikujt demaskues të dezinformatave dhe narrativave ruse nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info dhe intervista të thella me njohës të fushës.

“’Çështja e Kosovës’ është përdorur shpesh nga Kremlini. Rusia, përveç tjerash, ka përdorur pa fakte rastin e Kosovës si precedent për të ndërtuar narrativa që kishin për qëllim justifikimin e veprimeve të saj në ndërhyrjet ushtarake në rajone të ndryshme të ish-Bashkimit Sovjetik”, tha Rizanaj që shtoi se Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin e shfrytëzojnë nacionalizmin serb për të mbajtur ndikimin në rajon dhe për të krijuar sfida për NATO-n.

Hulumtuesi tjetër, Alban Zeneli, tha se ky është raporti i parë që i trajton narrativat e Rusisë ndaj Kosovës. Ai tha se në Kosovë audienca cak e lajmeve të tilla ka qenë kryesisht komuniteti serb.

“Ky komunitet vazhdon të informohet nga ekosistemi i mediave që kontrollohen nga Vuçiqi dhe që depërtojnë në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtyre narrativave vazhdon të mbetet mosinkuadrimi apo pengesa e inkuadrimit të serbëve lokalë në institucionet e Kosovës”, tha Zeneli.

Në këtë konferencë pati diskutim rreth raportit edhe nga panelistët, ku disa prej tyre ishin edhe të intervistuar nga vetë hulumtuesit gjatë draftimit dhe prodhimit të vetë raportit.

Agon Maliqi, hulumtues dhe analist politik, tha se Rusia nëpërmjet narrativave lidhur me Kosovën synon të ruajë interesin e saj në Ukrainë.

“Dezinformimi buron si rezultat i objektivave strategjike. Dhe objektivi strategjik i Rusisë që e lidh Ukrainën me Kosovën është që të ngrijë situatën në Ukrainë drejt një status-quoje të re ku Rusia e sheh atë si sferë të interesit dhe e në njëfarë forme e mban Ukrainën nën kontrollin e vet dhe e dyta ta ngrijë situatën në Ballkan, si njëfarë forme levë e shkëmbimit ku Rusia mund ta ruajë rolin e vet si lojtar i vetos. Pra që Rusia duhet të pyetet se çka do të ndodhë me Ballkanin në mënyrë që sipas tyre, perspektivës së tyre, ta përdorë si levë shkëmbimi për atë që e shohin si interes të tyre të vërtetë, që është Ukraina”, tha Maliqi.

Gynen Venhari nga Geopost deklaroi se pas çdo publikimi të tillë që e lëshon Rusia mbrapa është një oficer i inteligjencës ushtarake apo civile. Sipas tij, mediat kanë nisur të bëjnë rregullime, por e ka parë të nevojshëm edhe rolin e shtetit.

“Edhe mediat janë bërë një auto-rregullator edhe pse mendoj që shteti do të duhej ta luante këtë rol. Duhet ta ketë një strategji të qartë si të luftohet kjo, ta ketë një mekanizëm të centralizuar ku ne do të bashkëpunonim me një zyrë apo ku ta di. Ka modele të ndryshme siç janë rregulluar. Një nga to është Finlanda, për edukimin të popullsisë, ku dezinformatat ruse nuk mund të depërtojnë aq lehtë si në Ballkan”, tha ai.

Gazetarja nga Ukraina, Liudmyla Makei, tha se dezinformatat janë shpikur nga shërbimet sekrete ruse e se mediat ruse vazhdimisht bëjnë thirrje se rusët janë viktima në Ukrainë.

“Nuk është sekret që jetojmë në një gjendje lufte hibride. Rregullat e kësaj lufte u shpikën nga shërbimet sekrete ruse. Këto rregulla ndryshojnë vazhdimisht, Ukraina e dinë propagandimin dhe narrativat e Rusisë shumë mirë. Mediat ruse bënin thirrje për gjuhën ruse se janë viktimë në Ukrainë por kjo është gënjeshtër e madhe. Shkollat në gjuhën ruse nuk mund të flasim për propagandimin e butë gjuhës ruse”, tha ajo.

Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorphosis deklaroi se Rusia investon shumë para për të shpërndarë dezinformata.

Ai tha se i gjithë rajoni ka nevojë për përgatitje më të madhe për të luftuar keqinformimin.

“E dimë se në raporte të ndryshme investohen shumë para ruse për propaganda. Mirëpo ajo që është e rëndësishme që propaganda rritet dhe nganjëherë përdoret dhe si model. Narrativat dezinformuese nuk kanë për qëllim që të dashurohen me Rusinë dhe Putinin. Ato punojnë me anë te frikësimit dhe provokimit. Nuk është qëllim që të bashkohemi si rajon, por të pengohet rruga evropiane dhe euro-atlantike dhe të pengohemi që ndihmojmë Ukrainën”, tha ai.

Në raport po ashtu thuhet se situata paraqet sfidë serioze për Kosovën. Duke synuar të krijojë analogji dhe krahasime me ngjarje nga Kosova, Rusia pretendon pa fakte se masakrat si ato në Bucha (Ukrainë) dhe Reçak (Kosovë) janë të inskenuara dhe, gjithashtu, përhap mite mbi transplantime të organeve në kushte të luftës, duke u referuar edhe te ngjarjet e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë dhe te trafiku i organeve që pretendohet pa fakte se përfshin UÇK-në. Po ashtu, narrativi rus pretendon pa fakte se UÇK-ja mund të jetë e pranishme në Ukrainë përmes grupesh mercenarësh, ndërsa pretendon po ashtu pa mbështetje në burime të sakta për interesimin e kosovarëve për të mbrojtur Ukrainën me armë.

Në gjetjet e raportit thuhet se narrativa dezinformuese ruse përdor krahasimin mes Krimesë dhe Kosovës për të promovuar idenë e “standardeve të dyfishta” që përdor Perëndimi dhe OKB-ja. Rusia pretendon se, ndërsa Perëndimi njohu pavarësinë e Kosovës si shprehje e vullnetit të popullit, ai refuzon të njohë vullnetin e popullit në Krime pas referendumit të mbajtur atje pavarësisht se Kosova me Krimenë nuk mund të krahasohet në asnjë pikëpamje historike apo politike.

Raporti ka nxjerrë edhe konkluzionet kryesore. Ai ka vënë në dukje se Kosova aktualisht nuk e ka një strategji të qartë për të kundërshtuar këto narrativa dezinformuese. Konkluzë tjetër ka qenë që Kosova është bërë më e prekshme nga sulme të tilla sepse nuk ka plan të koordinuar për t’i adresuar informacionet e gabuara.

“Kjo kërkon një angazhim të rritur nga institucionet kosovare për të zhvilluar mekanizma efektivë të komunikimit dhe për të forcuar besimin e qytetarëve në informacionin zyrtar”, thuhet në konkluzat e raportit, tek është shtuar se për Kosovën është e rëndësishme të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i kundërshtuar narrativat e dezinformimit.

Raporti përfundon me konkluzën që Kosova duhet të angazhohet në një përpjekje aktive për të adresuar dhe sfiduar narrativat e dezinformimit rus.

Kjo përfshin përmirësimin e komunikimit publik, angazhimin e ekspertëve në fushën e komunikimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për dezinformimin.