LAJMI I FUNDIT:
Gjilani 3° heavyrain

“Vjeshta Letrare e Gjilanit”, Rrustemi: Pikëtakim për dashamirësit e librit

“Vjeshta Letrare e Gjilanit”, Rrustemi: Pikëtakim për dashamirësit e librit

Në Gjilan po mbahet edicioni i 15-të i manifestimit “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, i organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” dhe mbështetës të tjerë letrarë.

Drejtuesi i klubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, ka thënë për Telegrafin se ky aktivitet kulturor ka për qëllim parësor afirmimin e vlerave letrare, përmes prezantimit të librave të rinj dhe të autorëve të ndryshëm.

Siç shprehet Rrustemi, ky mision kulturor-letrar synon promovimin e autorëve që kanë sjellë prurje të reja në letërsi, qoftë më herët apo brenda vitit aktual, si dhe krijuesve të rinj që premtojnë, pavarësisht nga krahinat shqiptare nga vijnë.


“Ky manifestim është jo vetëm një platformë e prezantimit të librave dhe autorëve, por edhe një pikëtakim për dashamirësit e librit, të cilët çdo vit mbushin sallat për të ndjekur këtë ngjarje që zhvillohet kryesisht në Gjilan”, tha ai për Telegrafin.

Rrustemi thekson se përfshirja dhe interesi i publikut “na nxit edhe më shumë për të vazhduar me përpjekjet për të promovuar letrarinë”.

Që nga 18 tetori i vitit 2010, kur ky aktivitet nisi për herë të parë, Rrustemi thotë se iu kanë përmbajtur synimit parësor duke sjellur emra të shumtë shkrimtarësh në Gjilan, përmes ‘Vjeshtës letrare’.

Në tri veprimtaritë e deritanishme të këtij edicioni (19 e 26 tetor, si dhe me 2 nëntor), Rrustemi thotë se janë paraqitur dhe shtjelluar veprat e reja në poezi.

Autorët e rinj, si: Ibush Vishi dhe Izet Kallaba, të dy me librat e tyre të parë poetikë, kanë gjetur mbështetje dhe hapësirë në këtë aktivitet.

Po ashtu, një ngjarje e veçantë e edicionit ishte ribotimi i veprës së parë të shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu “Netët e Karadakut”, e cila, siç vë në dukje Rrustemi, 55 vite nga botimi i parë i është prezantuar një gjenerate të re lexuesish.

Në veprimtarinë këtij edicioni fokus i veçantë iu kushtua romanit më të ri të shkrimtarit gjilanas Mehmetali Rexhepi, botuar nga Shtëpia Botuese “Rozafa” e Prishtinës.

Ndërkohë, në veprimtarinë e tretë të edicionit, u shpalos dhe vlerësua si “libri më i mirë i poezisë në Panairin e sivjetshëm të librit në Prishtinë” vepra e Donikë Dabishevcit “E gjithkohshmja ANDËRR”, e cila sipas Rrustemit, i ka emocionuar artdashësit.

Sipas Rrustemit, risia e këtij edicioni ka qenë përurimi i gjashtë vëllimeve të reja poetike të botuara nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”duke përfshirë autorë të rinj si Zanë Mali dhe Kaltrinë Berisha, si dhe botime të autorëve të njohur si Ibrahim Kadriu.

“Vetëm këtë vit kemi shpalosur para artdashësve tanë vepra të rëndësishme të poezisë dhe prozës, për të cilat diskutuam dhe i ndamë me publikun”, shpjegon Rrustemi.

Në përputhje me traditën e viteve të kaluara, sipas Rrustemit “Vjeshta Letrare e Gjilanit” ka arritur të ofrojë një mjedis të veçantë për letërsinë, duke tërhequr krijues, lexues dhe dashamirës të artit nga Gjilani dhe më gjerë.

Ai thotë gjithashtu se një rëndësi të veçantë ka edhe pjesëmarrja e autorëve nga Shqipëria, Presheva, Tetova, dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarë, duke e bërë këtë manifestim një ngjarje gjithëkombëtare.

“Para artdashësve tanë dhe krijuesve të kësaj fushe kemi shtjelluar, qoftë krijimtarinë e tyre letrare, po kemi përuruar edhe dhjetëra e dhjetëra libra, të cilët me vlerat artistike që kanë mbërthyer brenda kopertinave, kanë begatuar letërsinë shqipe,” shton ai.

Para festave të nëntorit, Rrustemi thekson se lexuesit do të kenë mundësinë të njohin romanin “Vegjetariania” të shkrimtares jugkoreane Han Kang, botuar në shqip nga Shtëpia botuese Onufri.

“Ky roman do të diskutohet në një event ku i pranishëm do të jetë përkthyesi i veprës, Bujar Hudhri. Në dhjetor, do të pasojnë veprimtari kushtuar botimeve të reja në prozë dhe kritikë letrare, ndërsa mbyllja e edicionit do të shënohet me përurimin e kompletit të veprave të Ali Huruglicës, autor i njohur i letërsisë për fëmijë”, thotë Rrustemi.

Për Rrustemin dhe klubin letrar që ai drejton, sipas tij, ky manifestim ka një vlerë të madhe kulturore dhe humanitare.

“Në këtë kohë të stërngarkuar me storie të padëshiruara, veçanërisht nga skena politike dhe të një shou biznesi medial, ku shumë pak i ofrohet hapësirë librit që domosdo është ushqim shpirtëror për lexuesit, ne po bëjmë punën tonë, po përpiqemi për t’i ofruar diçka të mirë dhe me vlerë këtij lexuesi që është pjesë e këtyre veprimtarive”, thekson ai.

Në të ardhmen, Rrustemi thekson se Ars Clubi “Beqir Musliu” shpreson të zgjerojë aktivitetet dhe të pasurojë edicionet e ardhshme të “Vjeshtës Letrare”.

“Qëllimi ynë i përhershëm është që, secili edicion që vjen, të jetë më i begatshëm dhe më me vlerë,” përfundon Rrustemi, ndërsa shpreh nevojën për mbështetje më të madhe nga institucionet për këtë mision.

Ndryshe, edicioni i sivjetshëm i manifestimit ka filluar më 19 tetor dhe do të zgjasë për rreth dy muaj, duke sjell një mori aktivitetesh, të fokusuara në lloje të ndryshme të letërsisë. /Telegrafi/