Nga: John Gunther (1901–1970), gazetar dhe autor amerikan[1]
Përktheu: Bajram Karabolli
Gjithë diktatorët janë anormalë. Ky është një fakt aksiomatik. Asnjë njeri në gjendje normale nuk mund ta marrë përsipër qeverisjen e një kombi në mënyrë diktatoriale, duke llogaritur se sqima e një njeriu normal nuk është mjaftueshmërisht e aftë për të marrë përgjegjësi të tillë.
Përgjithësisht, diktatorët janë thellësisht neurotikë. Qemal Ataturku [Mustafa Kemal Atatürk] bënte një jetë personale të rrëmujshme; Dollfusi [Engelbert Dollfuß] vuante nga kompleksi i inferioritetit; Musolini [Benito Mussolini], siç e tregoi lufta e Abisinisë, qe megaloman; Stalini [Joseph Vissarionovich Stalin] qe një kriminel i rëndomtë që gjatë rinisë së vet vetëm hidhte bomba.
Psikiatri i madh vjenez, doktori Wilhelm Stekel, që shpjegon neurozën e diktatorëve dhe vullnetin e shumicës së njerëzve për t’iu nënshtruar një qeverie diktatoriale, e quan këtë anormalitet “kompleksi i autoritetit”.
Duhet filluar që nga fëmijëria: Te të gjithë fëmijët, sipas Stekelit, ekziston një luftë midis instinkteve të vetë njeriut dhe asaj çka i mëson bota e jashtme që e rrethon. Kështu, për shembull, fëmijëve u pëlqen të rrinë të pistë, por edukata u kërkon të jenë të pastër. Edukimi është një sforcim për ta formuar fëmijën, edhe pse bie ndesh me instinktet e veta të origjinës. Edukimi është rezultat i autoritetit. Autoriteti bëhet për fëmijën një armik, sepse e detyron të heqë dorë nga instinktet e veta.
Autoriteti i parë përfaqësohet nga prindërit. Në qoftë se prindërit janë të dobët dhe fëmija është një rebel i dukshëm, vijnë atëherë autoritetet e tjera: Autoriteti i fëmijëve më të rritur, autoriteti i mësuesve dhe në ndonjë rast, autoriteti i ligjit, pastaj autoriteti që është mbi të gjithë, ai i fesë. Arma e fundit që përdorin të mëdhenjtë në edukimin e fëmijëve është shprehja: Zoti do të të dënojë.
Qysh nga viti 1914, kompleksi i autoritetit filloi të dobësohej. Familja tashmë nuk përbënte më një unitet të shenjtë si më parë. “Vetë prindërit”, thotë Stekeli, “nuk u përgjigjeshin rregullave morale që kërkonin prej fëmijëve të tyre”. Menjëherë fëmijët u rebeluan përpara kësaj padrejtësie. Prindërit u munduan t’u impononin qorrazi ose mendjelehtësisht disa norma që ata vetë nuk i përfillnin, gjë që la tek bijtë vetëm një alternativë: atë të hakmarrjes, duke iu shmangur detyrimeve atërore.
E njëjta gjë si me prindërit, ndodhi edhe me mësuesit. Si shkolla edhe universiteti, u konsideruan pak seriozë. Lufta e Parë Botërore solli në çdo vend shkatërrimin e plotë të autoritetit. Për pasojë, një valë krimi përmbyti botën, sidomos Amerikën e Veriut. Pastaj feja u zëvendësua nga shkenca, si faktor jetësor autoriteti. Së fundi, të rinjtë pyesnin se si mund të besonin te një zot i cili lejoi luftën dhe kasaphanën e dhjetë milionë njerëzve.
Kësisoj, u diskreditua parimi i vjetër i pushtetit dhe kompleksi i autoritetit dështoi. Si rezultat, erdhi vala e diktatorëve. Hitlerët dhe Musolinët erdhën për të zëvendësuar autoritetin e humbur të prindërve. Njerëzit e mohuan autoritetin, po nuk mund të jetonin aq lehtë pa të. Bijtë u rebeluan kundër prindërve të tyre dhe Musolini, Hitleri [Adolf], Pilsudski [Józef Piłsudski], Aleksandri I [Karaxhorxheviq] i Jugosllavisë, Dollfusi, Qemal Ataturku, Stalini etj., i zëvendësuan ata.
Bijtë modernë u ndeshën me paaftësinë e prindërve të tyre dhe, për pasojë, kërkuan një udhëheqës të jashtëm.
Në themel, çdo qeveri është një kombinim dinak i frikës me dashurinë. Diktatorët shtojnë dinamizmin e këtij procesi. Aleksandri i Jugosllavisë përpiqej t’i bënte për vete rebelët kroatë dhe, në të njëjtën kohë, donte t’i nënshtronte ata. Austriaku i vogël Dollfus i vrau socialistët, duke i sulmuar me zjarr artilerie dhe pastaj u kërkoi falje. Hitleri qe i dashur për shumë simpatizantë të tij, megjithatë e konsiderojnë se Shën Bartolemeu i 30 qershorit[2] qe diçka e nevojshme.
Pse nuk e mohon individi autoritetin e diktatorit, ashtu siç mohoi autoritetin atëror pas Luftës së Parë Botërore? Çështja, sipas Stekelit, është se dyshimi që mund të ketë individi për diktatorin zvogëlohet ndërkohë që shtohet sasia e njerëzve të cilët shkojnë pas tij. Sa më i madh është numri i ndjekësve të tij, aq më i vogël bëhet dyshimi për të.
“Një epidemi psikike adhurimi” përhapet në mbarë kombin, për t’iu nënshtruar e për t’iu shtrirë tek këmbët diktatorit. “Veç kësaj”, thotë Stekeli, “sa më shumë bashkohet populli me diktatorin, aq më shumë inferioriteti i tij kthehet në autoritet”. Populli identifikohet me diktatorin, duke marrë pjesë në autoritetin e tij. Për pasojë, shumica arrin të bëhet pjesë e shpirtit dhe e esencës së tij. Po ashtu, diktatori bëhet pjesë e tyre.
Kështu vetë populli ndihmon në kompleksin e autoritetit të diktatorit. Për shembull, gjermanët thoshin se nuk ishte se ata luftonin për Hitlerin, po Hitleri luftonte për ata. Shumica e italianëve besonin se Musolini nuk e donte pushtetin për vete, por për të mirën e Italisë.
“Bindja dhe rebelimi, dashuria dhe urrejtja, kombinohen”, thotë Stekeli, “diktatori arrin të shndërrohet në shpëtimtar”.
Në lashtësi, udhëheqësit ishin përgjithësisht themelues të një feje të re. Tani janë politikanë. Shumë udhëheqës aktualë ndihen xhelozë ndaj fesë; vuajnë nga rivaliteti i pamëshirshëm i autoritetit hyjnor. Prandaj, shpesh përpiqen ta shkatërrojnë fenë, këtë rival të fuqishëm, duke përmbysur besimin fetar të popullit të tyre. Për shembull, Qemal Ataturku shfuqizoi islamizmin, Stalini u përpoq të zhdukte kishën ortodokse.
Diktatorët janë përgjithësisht neurotikë, sepse vetë ata vuajnë nga shtypja e kompleksit të autoritetit, vetë ata janë rebeluar, dikur në adoleshencë, kundër autoritetit. Ata ishin, në përgjithësi, persona të një mentaliteti ose vullneti superior dhe pas një fëmijërie të keqe, rebelimi i tyre triumfoi duke u hakmarrë ndaj prindërve dhe duke u imponuar të tjerëve vullnetin e tyre. Kësisoj, u bënë etër, jo më të një familjeje, po të një kombi.
Pothuaj tërë diktatorët, me përjashtim të Aleksandrit të Jugosllavisë, lindën të varfër. Musolini dhe Stalini qenë shumë të varfër. Disa diktatorë të tjerë, si Hitleri, patën një fëmijëri të dështuar. Dollfusi ishte me origjinë të përvuajtur. Diktatorët duan të kompensojnë adoleshencën e tyre të hidhur, duke kërkuar pushtetin dhe pastaj lavdinë. Por, pushteti dhe lavdia, ndërkohë që arrihen, mund të duken tepër të varfra, të pamjaftueshme. Për këtë Hitleri kërkonte strehë te muzika, Musolini argëtohej duke udhëtuar në mënyrë marramendëse.
“Diktatorët mbërrijnë në pushtet me shumë lehtësi”, thotë Stekeli, “sepse ne, njerëzit e thjeshtë, mundohemi të fajësojmë dikë për krizën dhe ajo që kemi më pranë, gjëja që na duket më e lehtë dhe më komode për ta fajësuar, janë institucionet tona. Kështu institucionet rrëzohen për t’u lënë vend diktatorëve”.
Diktatorët e mbajnë pushtetin, po ashtu, me lehtësi ngaqë dhuna është e lidhur me sistemin e tyre dhe ne, njerëzve të thjeshtë, po të flasim hapur, na pëlqen frika. /Revista “Palimpsest”/
____________________
[1] Fragmentet nga libri Drama e Evropës (1936).
[2] Nata e Shën Bartolemeut 29-30 qershor 1934, ndryshe njihet si “Nata e thikave të gjata”. Është nata kur u arrestuan dhe u ekzekutuan gjithë opozitarët brenda partisë naziste. Spastrimi u bë me urdhër të Hitlerit. Atë natë, brenda pak orëve, ithtarët e Hitlerit ekzekutuan 61 persona veç 13 të tjerëve të cilët u vranë në përpjekje për të mos u dorëzuar. Numri i mësipërm i viktimave është sipas deklaratës që dha Hitleri pas masakrës. Sipas një versioni tjetër, u vranë 400 vetë (shënimi është i përkthyesit).
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëWilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane
Ateistë, ju as që e kuptoni çfarë është “besimi”!
Nëntëdhjetë mijë shkrepjet e mia të Diellit: Andrew McCarthy dhe fotografia më e mirë e tij
LUMTURIA ËSHTË DASHURI
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?
Komiti shqiptar në arrati, në një shpellë me një ujk: Kur e vranë ujkun, humbi shpresa!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025