LAJMI I FUNDIT:

A do ta dëmtonin Evropën, tarifat tregtare të Trumpit?

A do ta dëmtonin Evropën, tarifat tregtare të Trumpit?

Bashkimi Evropian po bëhet gjithnjë e më i varur nga tregu i eksportit të SHBA-ve, duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj tronditjeve të mundshme nga politika tregtare e Donald Trumpit.

Ky i fundit ka një strategji tregtare që pretendon se nuk ka frikë ta përdorë nëse rizgjidhet president në muajin nëntor: një tarifë universale deri në 20 për qind për të gjitha produktet e importuara nga jashtë vendit.

“Gjithçka përveç dashurisë dhe fesë, është fjala më e bukur që ekziston: TARIFË”, tha republikani gjatë një mitingu në Karolinën e Veriut.


Një tarifë është një taksë e vendosur mbi mallrat e huaja kur ato hyjnë në një vend, të cilën pritet ta paguajnë importuesit, shkruan euronews.

Trump ka kërcënuar të vendosë një tarifë prej 60 për qind për produktet kineze dhe deri në 200 për qind për veturat e prodhuara prej Meksikës.

Kandidati republikan po mbështetet tek ky mjet tregtar për të nxitur bizneset amerikane, për të krijuar vende pune dhe për të zvogëluar deficitin federal përmes të ardhurave shtesë nga taksat.

Por, kritikët në shtetin amerikan po paralajmërojnë se barra ekonomike e këtyre tarifave mund të kalojë te konsumatorët amerikanë, ndërsa aleatët jashtë vendit – përfshirë edhe Evropën – kanë frikë se dëmet kolaterale që do t’i shkaktojë tarifa, mund të jenë shkatërruese.

Çfarë do të ndodhë me tregtinë BE-SHBA?

Marrëdhënia tregtare BE-SHBA është më e vlefshmja në botë, me një vlerë prej rreth 1 trilion eurosh në mallra dhe shërbime të tjera në një vit.

Bashkimin Evropian përfiton më shumë nga tregtia e mallrave, duke pasur një tepricë prej 156 miliardë eurosh vetëm vitin e kaluar, përkundrejt një deficiti prej 104 miliardë eurosh në shërbime.

Tregtia e mallrave të BE-së me Shtetet e Bashkuara

Një tarifë e përgjithshme prej 10 ose 20 për qind do ta bënte më të shtrenjtë për kompanitë amerikane të importonin mallra nga BE-ja, që do të thotë se eksportet evropiane përtej Atlantikut mund të bien deri në një të tretën në disa sektorë, sipas vlerësimeve më radikale ekonomike.

Sektorë si makineritë, automjetet dhe kimikatet – që së bashku përbënin 68 për qind të eksporteve të BE-së në SHBA – do të goditeshin fuqishëm, transmeton Telegrafi.

Kjo do ta bënte Gjermaninë, fuqinë ekonomike të bllokut evropian, veçanërisht të ndjeshme ndaj tronditjeve, duke marrë parasysh varësinë nga eksportet në SHBA.

A mund ta shtyjë BE-në drejt një recesioni?

Ndërsa shumë ekspertë të ekonomisë nuk bien dakord për shkallën e dëmit, shumica pajtohen se tarifat e 78-vjeçarit do të ishin shkatërruese për ekonominë e Evropës.

Një tarifë universale prej 10 për qind do të ulte GJDP-në e eurozonës me 1 për qind, sipas vlerësimeve të Goldman Sachs.

Parashikimet më radikale sugjerojnë se tarifat e Trumpit do të ulnin rritjen e eurozonës me 1.5 për qind deri në vitin 2028. Një skenar i tillë do ta shtynte ekonominë – e cila tashmë është nën presion – drejt pragut të një recesioni.

Ekonomistë të tjerë vlerësojnë se një tarifë prej 10 për qind mund të ulte GJDP-në e Gjermanisë deri në 1.6 për qind, ndërsa ndikimi te ekonomitë e tjera kryesore, si Spanja do të ishte ndjeshëm më të ulëta, rreth 0.5 për qind.

Pasgoditjet mund të përfshijnë edhe me humbjen e vendeve të punës. Tregtia dhe investimet transatlantike vlerësohet se mbështesin drejtpërdrejt rreth 9.4 milionë vende pune si në BE, ashtu edhe në SHBA, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian.

Por, blloku ka forcuar arsenalin e mbrojtjes tregtare vitet e fundit, duke përfshirë edhe përgjigjen ndaj tarifave të larta të vendosura nga administrata e Trumpit me mbi 6.4 miliardë euro në çelik dhe alumin.

Armëpushimi tregtar transatlantik, që zgjidhi përkohësisht atë mosmarrëveshje të periudhës, Trump pritet ta përfundojë më 21 mars të vitit 2025, vetëm dy muaj para se të marrë detyrën prej administratës së Joe Bidenit.

A është e pashmangshme një luftë tregtare?

Premtimi i Trumpit për të vendosur një tarifë prej 60 për qind për mallrat kineze të importuara paraqet një rrezik të vërtetë që BE-ja të tërhiqet në një luftë të plotë tregtare.

“Një tarifë mbi mallrat kineze që hyjnë në SHBA do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme që shumë produkte të devijoheshin drejt tregut evropian”, tha Andre Sapir, anëtar i lartë në Bruegel dhe ish-këshilltar ekonomik i presidentit të Komisionit Evropian, Romano Prodi.

“BE-ja do të duhej t’i përgjigjej me masa kundërpërgjigjeje. Do të duhej të mbrohej”, shtoi ai.

Kjo mund të shihte përshkallëzimin e tensioneve tregtare midis Brukselit dhe Pekinit, të cilat janë rritur pas vendimit të BE-së për të vendosur tarifa të larta mbi automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.

“BE-ja nuk ka bërë atë që kanë bërë SHBA-të në drejtim të largimit nga varësia kinezedhe uljes së importeve. Kjo është një nga gjërat e pakta që ka mbajtur gjallë ekonominë evropiane”, shpjegoi Zach Meyers, drejtor ndihmës në Qendrën për Reformën Evropiane (CER).

“Por, sa kohë do të vazhdojnë SHBA-të t’i lejojnë Evropës të qëndrojë mes dy rrugëve? Mendoj se kjo është një pyetje e vështirë”, shtoi ai.

Blloku ka gjasa që fillimisht të përpiqet të arrijë një marrëveshje me 78-vjeçarin, para se të zgjedhë tarifat hakmarrëse, thonë analistët.

“BE-ja dhe të tjerët do të jenë të interesuar t’i ofrojnë Trumpit një ‘karrotë’, diçka që do t’i japë fasadën e një suksesi të madh”, tha Meyers.

“Kjo është pikërisht ajo që pamë gjatë presidencës së Trumpit, kur si Presidenti i Komisionit ashtu edhe udhëheqësit kinezë nënshkruan këto marrëveshje për të blerë mallra amerikane”, pohoi ai.

Këshilltarët ekonomikë të vetë Trumpit mund të konsiderojnë kufizimin e ambicieve të tarifave për të shmangur trazirat e mundshme ekonomike brenda vendit.

Ekonomistët thonë se një lëvizje e tillë do të çonte pashmangshmërisht në një rritje të inflacionit dhe se kompanitë importuese amerikane mund të vendosin t’ua kalojnë koston e tarifave qytetarëve amerikanë. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Kurti: Investimi në KEK synon të rrisë kapacitetin e prodhimit, mbi 137 milionë euro për modernizimin e Njësisë A3

Kurti: Investimi në KEK synon të rrisë kapacitetin e prodhimit, mbi 137 milionë euro për modernizimin e Njësisë A3

Ekonomi
AS Travel sjell Omanin për herë të parë si destinacion për Kosovën

AS Travel sjell Omanin për herë të parë si destinacion për Kosovën

Ekonomi
Agon Gashi - Drejtori Ekzekutiv i Meridian Express dhe SPAR Kosova, merr pjese në Forumin Ekonomik Botëror 2025 në Davos!

Agon Gashi - Drejtori Ekzekutiv i Meridian Express dhe SPAR Kosova, merr pjese në Forumin Ekonomik Botëror 2025 në Davos!

Ekonomi
Huazimet e qytetarëve në banka vazhdojnë të rriten, a ishte 2024 me mbitërheqjet më të larta?

Huazimet e qytetarëve në banka vazhdojnë të rriten, a ishte 2024 me mbitërheqjet më të larta?

Ekonomi
Albed hap showroom-in e dytë në Zvicër, duke forcuar bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare

Albed hap showroom-in e dytë në Zvicër, duke forcuar bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare

Ekonomi
Zhvlerësohet kriptovaluta Trump

Zhvlerësohet kriptovaluta Trump

Botë
Kalo në kategori