LAJMI I FUNDIT:

Greva e punëtoreve teknike në Kuvendin e Kosovës, një grua bëhet për spital

Greva e punëtoreve teknike në Kuvendin e Kosovës, një grua bëhet për spital

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka njoftuar se njëra nga grevistet, një punonjëse e sektorit privat që po protestonte për të drejtat e punëtorëve dhe pagat e tyre, është shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Gruaja është dërguar në spital që nga mëngjesi, për shkak të lëndimeve serioze që ka pësuar.

Sipas Azemit, gjendja e saj është pasojë e neglizhencës nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka injoruar kërkesat e grevistëve. Ai theksoi se kjo është dita e 37-të e grevës.


“Pas 37 ditësh grevë në Kuvendin e Kosovës, arritën që një punëtore ta dërgojnë në spital për shkak të injorimit të kërkesave të tyre. Sipas mjekëve, gruaja ka pësuar lëndime të rënda dhe është trajtuar në repartin e emergjencës në QKUK që nga ora 09:00. Mjekët raportojnë se ajo vuan nga presioni psikologjik, ndërsa arsyet e kësaj situate do t’i shpjegojë vetë ajo. Megjithatë, kjo ndodhi për shkak se 279 eurot që ajo merr nuk mjaftojnë për jetesë dhe për barna,” ka deklaruar Azemi.

Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër mënyrën se si trajtohen punonjësit e sektorit privat në Kosovë, duke e cilësuar këtë situatë si një shembull të mirëqenies së tyre./Telegrafi/