LAJMI I FUNDIT:

Njëzet fëmijë kanë vdekur pas zjarrit që kaploi autobusin e shkollës në Tajlandë

Njëzet fëmijë kanë vdekur pas zjarrit që kaploi autobusin e shkollës në Tajlandë

Trupat e 20 fëmijëve dhe tre mësuesve janë gjetur pasi një autobus mori flakë jashtë Bangkokut.

Bëhet e ditur se autobusi po kthehej në kryeqytetin tajlandez pas një udhëtimi shkollor në veri të vendit.

Videot nga vendi i ngjarjes treguan flakët që përfshinin autobusin ndërsa ai digjej nën një mbikalim, me re të mëdha tymi të dendur që ngriheshin në qiell.


Ministri i Transportit Suriyahe Juangroongruangkit tha se autobusi funksiononte nga gazi natyror i kompresuar “jashtëzakonisht i rrezikshëm”.

Dëshmitarët thonë se automjeti u përplas në barrierën e betonit që ndan autostradën në veri të Bangkok, pasi një gomë e përparme shpërtheu, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ai shpejt u përfshi nga flakët dhe shumë brenda tij nuk mundën të dilnin.

Megjithatë, ende nuk dihet shkaku i zjarrit.

Siç raportohet, 19 fëmijë dhe tre mësues kanë mbijetuar, 16 prej të cilëve po trajtohen në spital.

“Ky është një incident shumë tragjik”, tha Suriyahe.

Piyalak Thinkaew, i cili drejtonte kërkimin, tha se ishte e vështirë të identifikoheshin trupat sepse ishin djegur shumë.

Policia mjeko-ligjore tha se nga 23 trupat e gjetur, 11 ishin meshkuj, shtatë femra dhe pesë të tjerë të paidentifikueshëm.

Shoferi është larguar nga vendi i përplasjes, por autoritetet janë të sigurta se ai do të gjurmohet, sipas Ministrit të Brendshëm Anutin Charnvirakul.

Ndryshe, Tajlanda ka një nga rekordet më të këqija të sigurisë rrugore në botë, me automjete të pasigurta dhe drejtim të dobët që rezultojnë në afërsisht 20,000 vdekje në vit. /Telegrafi/