LAJMI I FUNDIT:

Samiti i Kosovës për Paqe, diskutohet rreziku nga ndikimi ruso-kinez në Ballkan

Samiti i Kosovës për Paqe, diskutohet rreziku nga ndikimi ruso-kinez në Ballkan

Në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, u theksua ndikimi destabilizues i Rusisë në Ballkanin Perëndimor përmes propagandës dhe dezinformimit, ndërsa panelistët trajtuan edhe rolin e Kinës në rajon.

Stefan Vladisavljev, Drejtor i Programit në Fondacionin BFPE për një Shoqëri të Përgjegjshme, theksoi se Rusia vepron në favor të interesave të saj për të destabilizuar rajonin.

“Rusia po i thyen gjërat në favor të saj për të arritur interesin e saj, ndërkohë që Kina është shumë e mirë, madje e shkëlqyer, në lehtësimin e proceseve ekzistuese,” tha Vladisavljev.


Ai shtoi se ndërkohë që Kina lehtëson bashkëpunimin pa ndërhyrje në zhvillimin e vlerave demokratike, Rusia përdor metoda që përfshijnë propagandë dhe dezinformim për të ndikuar në politikën dhe shoqëritë e Ballkanit Perëndimor.

Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës për Studime të Sigurisë, Viktoria Voronina, theksoi se siguria është arsyeja kryesore e veprimeve të Rusisë.

“Rusia qeveriset nga përfaqësues të inteligjencës dhe sigurimit, dhe këta njerëz janë të infiltruar në shumë agjenci dhe institucione qytetare,” tha Voronina.

Ajo shtoi se Rusia shpesh përdor “konceptin e mohimit të besueshëm” për të shmangur përgjegjësinë për veprimet e saj, duke përdorur entitete të ndryshme si satelitë apo OJQ për të përhapur propagandë dhe dezinformim.

Jeta Loshaj, menaxhere në FES, shpjegoi se ndikimi ruso-kinez është shumë i pranishëm në Ballkanin Perëndimor.

Ajo përmendi se disa analistë argumentojnë se ndikimi rus në rajon është i ekzagjeruar, ndërsa të tjerë besojnë se është nënvlerësuar dhe duhet trajtuar me kujdes, duke pasur parasysh dobësitë e rajonit.

Sipas saj, prania e Rusisë në Ballkan ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm, por invazioni i Ukrainës ka rritur vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.

Ndërkohë, Ana Krstinovska nga ESTIMA / ELIAMEP, theksoi nevojën për të kundërshtuar ndikimin ruso-kinez në rajon.

Ajo shtoi se “jo të gjithë akterët e jashtëm si Kina dhe Rusia kanë të njëjtat objektiva apo mjete për të ushtruar ndikim”.

Sipas saj, Kina fokusohet kryesisht në interesat e saj ekonomike, duke përdorur lidhjet ekonomike si levë kryesore për të depërtuar në rajon./Telegrafi/