LAJMI I FUNDIT:

Tri ditë pas miratimit, Kuvendi i Kosovës heq nga përdorimi logon e re

Tri ditë pas miratimit, Kuvendi i Kosovës heq nga përdorimi logon e re

Logo e re e Kuvendit të Kosovës, e miratuar më 20.09.2024, është hequr nga përdorimi me vendim të Kryesisë së Kuvendit.

Burime brenda Kuvendit bëjnë të ditur se më 23.09.2024, në mbledhje të Kryesisë është vendosur që të shtyhet përdorimi i logos së re deri në një njoftim tjetër.

Sipas burimeve, ky vendim është marrë pas diskutimeve lidhur me disa ankesa për plagjiaturë të logos.


Po ashtu, edhe në faqen e Kuvendit të Kosovës në Facebook, sot është hequr logoja e re nga fotografia e profilit.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka konfirmuar se ka pranuar një e-mail ku thuhet që është shtyrë përdorimi i logos së re.

“Nuk kam qenë prezent në mbledhje, por më ka ardhë një e-mail zyrtar ku thuhet që shtyhet përdorimi i logos së re”, tha Gashi për Kallxo.com.

Logo e re ishte vendosur më 20.09.2024 në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës në Facebook.

Më 24.09.2024, Kuvendi i Kosovës heq logon e re nga faqja zyrtare në Facebook.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Kuvendi i Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Logoja do të vendosej në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete të cilat organizohen nga Kuvendi.

Kuvendi i Kosovës më 01.03.2024 pati ka hapur konkurs për dizajnim të logos së këtij institucioni në vlerë 10 mijë euro.

Sipas thirrjes së publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës dhe në e-prokurim, për vendin e parë ishin paraparë të ndahen 7 mijë euro, për të dytin 2 mijë dhe për të tretin 1 mijë euro. /Kallxo.com/