LAJMI I FUNDIT:

Fillon punimet Konferenca e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë

Fillon punimet Konferenca e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë

Ka filluar punimet edicioni i shtatë i Konferencës së Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW 2024 – Kosovo Sustainable Development Week). 

Në hapjen e punimeve të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovës kanë folur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann dhe zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës, përgjatë viteve të fundit ka  bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik e agjendën klimatike, duke treguar vizionin e angazhimin për një të ardhme të qëndrueshme.


“Ky vizion vjen si rezultat i një të vërtete që tashmë është bërë e qartë për secilin prej nesh: siguria e kontinentit tonë, e siguria e secilit nga shtetet tona nuk mund të jenë të pavarura nga siguria jonë energjetike. Rruga drejt të cilës jemi nisur, është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokratë, të cilave u shërben varësia energjetike e Evropës”, pohoi Kryeministri Kurti.

Ndërsa, pas vizitës në ekspozitën “Energy in Transition – Powering Tomorrow”, në konferencën për media folën Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann.

Ministrja Rizvanolli theksoi se gjatë tri viteve qeverisje kanë bërë përparime të mëdha në fushën e energjisë, së bashku me partnerët tanë dhe jo rastësisht kjo javë është organizuar bashkë me GIZ-in, Qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian dhe shoqërinë civile, partnerë më të cilët jemi bashkë në të gjithë rrugëtimin energjetik të vendit.

“Për gjatë tri vetëve kemi bërë shumë përparime, nga njëra anë në ndërtimin e kapaciteteve të reja  dhe zhvillimin e projekteve të reja, ku siç e tha edhe Kryeministri më herët, shteti gjerman ka qenë partner kyç si dhe Bashkimi Evropian. Nga ana tjetër e kemi vënë efiçiencën e energjisë si top prioritet të diskutimit dhe të zbatimit të masave si asnjëherë më parë, duke u bërë shembull për të gjitha vendet e rajonit”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, nesër gjatë punimeve të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovës, Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, do të jetë pjesë e dy paneleve: “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – Një thirrje e përbashkët për veprim” dhe “Tranzicioni energjetik në Ballkanin Perëndimor”.

Në katër ditë sa do të zgjasë Konferenca, udhëheqës të lartë të institucioneve, vendimmarrës, organizata dhe ekspertë nga Kosova dhe jashtë, do të diskutojnë rreth veprimit për klimën, ndikimi i saj, për Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, dhe tema tjera që ndërlidhen më klimën dhe energjinë.

Po ashtu, në kuadër të KSDW 2024, nesër në ora 19:00 në ambientet e Termocentralit “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), hapet ekspozita “A Power Plant” për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.