LAJMI I FUNDIT:

Rama: Shqipëria nuk ka pasur asnjë interes ta shohë Rusinë si aleat

Rama: Shqipëria nuk ka pasur asnjë interes ta shohë Rusinë si aleat

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë këtë të shtunë në panelin e diskutimit të forumit të sigurisë, GLOBSEC 2024, që po mbahet në Pragë.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te mbështetja e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe partneriteti mes dy vendeve i nënshkruar gjatë vizitës së presidentit Zelenky në Tiranë.

Rama tha se mbështetja e Shqipërisë ndaj Ukrainës vjen natyrshëm, pasi Tirana zyrtare e ka kuptuar prej kohësh që nuk ka asnjë interes ta shohë Rusinë si një partner, raporton euronews.al.


Ai nënvizoi se pas viteve ’90 nuk ka asnjë vizitë të lartë të autoriteteve ruse në Tiranë dhe anasjelltas.

“E kuptuam që nuk ka asnjë interes që ta shohësh Rusinë si një aleat apo partner për sa kohë ëndrra për një variant të caktuar të imperaliazmit qoftë në mënyrën e vjetër apo të re nuk do të zhduket.

Jemi i vetmi vend në Evropë që prej vitit 1990 nuk ka pasur asnjë vizitë nga autoritetet e larta tonat në Moskë, as nga autoritetet e larta të Moskës te ne.

Më duhet të them se solidariteti jonë me Ukrainën është gjëja më e natyrshme, është e paimagjinueshme që në botën tonë, në Evropën tonë, në shekullin tonë, çfarëdo mosmarrëveshjeje, çfarëdo mënyre e ndryshme e të kuptuarit të fqinjësisë nuk mund të zgjidhet duke dërguar një ushtri. Kjo është e papërfytyrueshme. Dua të përmend historinë mjaft treguese të himnit rus. Kur Stalini i kërkoi autorit që e shkroi të shkruante diçka mjaft motivuese, pasi Bashkimi Sovjetik duhet të luftonte, autori e bëri. Ndërkohë që kur Hrushovi erdhi në pushtet i kërkoi të njëjtit autor të ndryshonte tekstin dhe kur Jelcini erdhi në pushtet i kërkoi gjithashtu të ndryshonte tekstin. Edhe kur Putini erdhi në pushtet i kërkoi autorit të ndryshonte tekstin, por muzika kurrë nuk ndryshoi në Rusi”, tha Rama.