LAJMI I FUNDIT:

Pagat deri në 1,000 euro në muaj tërheqin punonjës të rinj në sektorin e turizmit në Shqipëri

Pagat deri në 1,000 euro në muaj tërheqin punonjës të rinj në sektorin e turizmit në Shqipëri

Pagat e larta në industrinë e turizmit në Shqipëri po tërheqin gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt këtij sektori.

Hotelet bregdetare, baret dhe restorantet nuk janë të mbushura vetëm me pushues të rinj, por edhe me staf të moshave nga 16-25 vjeç. Paga deri në 1,000 euro për pozicione si kamerierë apo banakierë është një shtysë e madhe për ta, të cilët kanë zgjedhur që muajt e pushimeve të shkollave t’i kalojnë duke punuar në bregdet.

Sezoni turistik i këtij viti po përballet me një ndryshim të rëndësishëm në sektorin e turizmit: rritjen e pagave që ka ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të vazhdueshëm—mungesën e fuqisë punëtore. Rritja e pagave ka bërë që sektori turistik të tërheqë më shumë punonjës sezonale dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve.


Ky përmirësim ka ndihmuar në stabilizimin e shërbimeve dhe ka ofruar një eksperiencë më të mirë për turistët.

“Nuk është zgjidhur 100%, por jemi shumë më mirë se sezonet e mëparshme, kjo sigurisht nga rritja e pagave në turizëm; pra, sot po të marrësh disa nga punët më të vështira si sanitare në hotele, pagat janë më të larta se punonjësit e bankave, duke arritur deri në 1000 euro në muaj”, thotë për Monitor Blerim Norja, administrator i hoteleve Royal G.

Në vitet e fundit, një nga sfidat kryesore për sektorin e turizmit ka qenë mungesa e fuqisë punëtore.

Operatorët turistikë kanë raportuar vështirësi në sigurimin e stafit të mjaftueshëm për të përballuar fluksin e turistëve gjatë sezonit të verës. Problemi është theksuar veçanërisht në periudhat e pikut të sezonit, kur kërkesa për shërbime është më e lartë.

“Në dy -tre vitet e fundit u bë shumë problem pjesa e fuqisë punëtore pasi shumë nga të rinjtë filluan të largohen jashtë vendit pasi u hapën shumë viza të reja në shtetet europiane, këtë vit duket që ky problem është zgjidhur natyrisht me disa mungesa të vogla që zëvendësohen- shprehet”- David Hyka, administrator i Diamma resort.

Punonjësit sezonale tani gjejnë mundësi më tërheqëse për të punuar në sektorin e turizmit, duke përfituar paga që mund të jenë më të larta se ato të sektorëve të tjerë.

“Paga më e lartë është bërë një faktor kyç për të tërhequr staf të kualifikuar dhe për të ruajtur motivimin e tyre gjatë sezonit,”-tregon për Monitor Blerim Norja

“Të gjitha hotelet dhe bizneset që e kanë marrë seriozisht këtë sezon janë detyruar t’i rrisin pagat, sepse ky sektor nuk mund të vazhdojë ashtu si ka vazhduar këto vite, ku ne marrim staf, i trajnojmë për 2-3 muaj, i japim pagat dhe ata largohen. Tashmë ne jemi me kontrata fikse dhe paga shumë të kënaqshme, dhe deri më tani për këtë vit po shohim që kjo zgjidhje është e duhura,”- shprehet presidenti i grupit Fafa Hotels dhe Resorts, Fatos Çerenishti.

Një kamerier në jug të vendit këtë sezon veror po paguhet mesatarisht 900-1000 euro në muaj, ndërsa një sanitare mund të fitojë deri në 700 euro në muaj. Këto paga janë raportuar edhe në zonat e tjera bregdetare, ku operatorët turistikë theksojnë se pagesat më të larta janë për shefat e kuzhinës dhe menaxherët e bareve. Në disa raste, pagat për këto pozicione arrijnë deri në 3000 euro në muaj.

“Për të adresuar mungesën e stafit të kualifikuar, kemi ndërmarrë masa duke rritur pagat, të cilat këtë vit arrijnë deri në 1000 euro për kamerierët. Baksishet, të cilat përbëjnë një burim të veçantë të ardhurash për ta, nuk janë përfshirë në këtë shumë. Rritja e pagave është bërë e nevojshme pasi për vite kemi vuajtur nga mungesa e fuqisë punëtore,”- shprehet Vasil Bedinaj, pronar i Regina Group.

Tashmë edhe emigrantët po zgjedhin të rikthehen gjatë sezonit, jo vetëm për pushime, por edhe për të punuar me paga që krahasohen me ato në shtetet europiane. Disa prej tyre kanë vendosur që këtë sezon të punojnë në Shqipëri.

Blerim Norja, administrator i hoteleve Royal G, shprehet se në hotelet e Durrësit ka shumë shqiptarë të rikthyer nga emigrimi që kanë nisur të punojnë për këtë sezon.

“Ata zgjedhin të punojnë në profesione si kuzhinier, shef kuzhine, apo menaxher, ku pagat janë shumë të larta. Niveli i jetesës në Shqipëri, që është më i ulët se në vendet e tjera europiane, është një faktor i rëndësishëm në këtë zgjedhje,” tha ai.

Një zgjidhje tjetër që operatorët kanë ndërmarrë për të adresuar këtë problem është angazhimi i fuqisë punëtore nga jashtë, nga vende si Turqia dhe disa shtete të Azisë. Ata janë siguruar për të marrë staf të kualifikuar dhe me kontrata që e shohin vendin tonë si një destinacion të sigurt për të punuar.

“Ne kemi siguruar kontrata fikse me shtetet përkatëse dhe kemi mundur të punësojmë disa shtetas të huaj për të plotësuar mungesat në fuqinë punëtore. Këto janë pozicione pune sezonale me paga shumë të kënaqshme,” tregon Bedinaj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Rama në Londër flet për vrasjen e Martin Canit: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles

Rama në Londër flet për vrasjen e Martin Canit: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Lajme
Kalo në kategori