LAJMI I FUNDIT:

U raportua se do t’i rikthehet fushës së gjelbër, dështon transferimi i De Geas në Itali

U raportua se do t’i rikthehet fushës së gjelbër, dështon transferimi i De Geas në Itali

Ish-portieri i Manchester United, David De Gea, është vënë në kërkim të një ekipi të ri pasi transferimi i tij tek Genoa ka dështuar.

Sipas Sky Sports, De Gea nuk do të transferohet në Serie A për shkak të pagës së tij të lartë të cilën klubi italian e ka të pamundur ta mbulojë.

Raportimi shton se ekipi italian do të synojë objektiva të tjerë, ndërsa tashmë është bërë më shumë se një vit që 33-vjeçari ka mbetur pa shtëpi.


De Gea dikur cilësohej si njëri prej portierëve më të mirë në botë, por përkundër faktit që fitoi ‘Dorezën e Artë’ në sezonin e tij të fundit tek United, ai u largua verën e kaluar, ndërsa ‘Djajtë e Kuq’ nënshkruan me Andre Onanan.

Teksa veterani ka qenë në pritje të mundësisë së duhur, fakti që ka mbetur pa ekip për një vit ia vështirëson tej mase situatën.

Reprezentuesi spanjoll iu bashkua Unitedit nga Atletico Madridi në vitin 2011 dhe bëri 545 paraqitje për gjigantin anglez, duke fituar Ligën Premier, FA Cup, dy Carabao Cup dhe një titull të Ligës së Evropës.

Tashmë si lojtar i lirë, De Gea ishte lidhur me një kalim gjithashtu edhe në Arabinë Saudite, por për momentin do të vazhdojë stërvitjet individualisht.

Në rast se ai dëshiron që t’i rikthehet fushës së gjelbër sa më parë që të jetë e mundur, atëherë me gjasë do të detyrohet që të pranojë zbritje të pagës./Telegrafi/