LAJMI I FUNDIT:

Caktohet masa e paraburgimit për një person nga Velesi, ka shkaktuar zjarr në një deponi

Caktohet masa e paraburgimit për një person nga Velesi, ka shkaktuar zjarr në një deponi

Prokuroria Themelore Publike në Veles ka ngritur aktakuzë kundër personit nga fshati Gorno Orizarë i Velesit, i cili ka shkaktuar zjarr duke djegur sediljet e veturave.

“I akuzuari 25-vjeçar, më 21 korrik, në një deponi të egër në fshat ka shkaktuar zjarr me dashje, duke djegur sediljet e vjetra të makinave. Duke qenë se vendi ishte i stërmbushur me bar të thatë dhe në vendgrumbullim kishte edhe bar të thatë dhe objekte të tjera, zjarri u përhap me shpejtësi. Me këtë i akuzuari ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë në fshatrat përreth. Rreziku i dëmeve të mëdha të shkaktuara nga veprimet e tilla të të akuzuarve është veçanërisht i theksuar duke pasur parasysh gjendjen alarmante me zjarret në rrethinën e Velesit dhe në territorin e gjithë vendit.

Së bashku me aktakuzën, prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore në Veles ka paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të akuzuarit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale. Gjykata ka pranuar propozimin dhe ka caktuar masën e kërkuar të paraburgimit”, njoftojnë nga Prokuroria.


Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot informoi se policia është e fokusuar në zbulimin e të gjithë autorëve dhe shkaktarëve të zjarreve, të cilat ai i quajti “fatkeqësi kombëtare”. Deri më tani për dy ngjarje penalo-juridike janë dy të dyshuar dhe janë ndërmarrë hapat e duhur në drejtim të zbardhjes së së vërtetës dhe procedimit në organet kompetente./Telegrafi/