LAJMI I FUNDIT:

Ekstradohet nga Greqia Laert Haxhiu, i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm

Ekstradohet nga Greqia Laert Haxhiu, i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se sot, më 03.07.2024, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale.

Sipas njoftimit, 32-vjeçari u soll në pikën kufitare të Kakavijës nën masa të larta sigurie nga Policia greke dhe është shoqëruar në anën shqiptare nga Forcat Speciale “RENEA”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Lushnjës në vitin 2017 e ka dënuar me 18 vjet burgim për veprat penale – vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur ne tentativë dhe – mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.


Shtetasi Laert Haxhiu më datë 25.09.2016 ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale – grupi i strukturuar kriminal; kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal; vrasja në rrethana të tjera cilësuese; mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, dhe – prishja e qetësisë publike.