LAJMI I FUNDIT:

Përfundoi viti shkollor, mungesa e librave sfidë kryesore e nxënësve në Tetovë

Përfundoi viti shkollor, mungesa e librave sfidë kryesore e nxënësve në Tetovë
Foto: ilustrim

Përderisa nxënësit e shkollave të mesme përfunduan vitin shkollor më 10 qershor, filloristët sot e kishin ditën e fundit në bankat shkollore. Nxënësit në përgjithësi kishin një vit përplot me sfida. Ata pothuajse gjatë tërë vitit ishin përballur me mungesë të librave pohojnë nga sektori për arsim në komunën e Tetovës.

“E dini që një ndër sfidat kryesore të këtij viti shkollor ishte mungesa e librave për nxënësit dhe ne si komunë, si sektor i arsimit disa herë kemi reaguar për këtë. Kjo problematikë është përcjellur vit pas viti, pra që dy vite sa jemi në krye të komunës së Tetovës, nxënësit tanë, konkretisht nxënësit e shkollave fillore dhe të mesëm, janë ballafaquar me mungesë të librave që është një nga elementet për zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor”, deklaroi Nazmi Dauti, nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

Sipas autoriteteve të komunës së Tetovës, krahas mungesës së librave, problem kryesor ishte edhe shkurtimi i bllok-dotacioneve për shkollat e Tetovës.


“Këtë vit kishim edhe mungesë të mjeteve financiare, u shkurtuan bllok dotacionet në sferën e investimeve, mirëmbajtjes së objekteve shkollore dhe materialeve tjera të nevojshme për funksionim normal të shkollave. Në shkollat fillore kishim një shkurtim të dotacionit për 36 milion denarë, ku përafërsisht kishim aq shkurtim tek dotacionet për shkollat e mesme”, theksoi Nazmi Dauti.

Në ndërkohë, sipas informacioneve gjatë kësaj periudhe një pjesë e librave janë shpërndarë tek nxënësit, kurse pritet që deri në fillim të vitit shkollor në shtator të gjithë nxënësit të pajisen me libra.

“Kemi marrë informacione nga shkollat fillore që nga MASH kanë filluar që disa libra të shpërndahen, ndërsa shpresojmë që deri në muajin shtator të gjitha librat që mungojnë në kuadër të shkollave fillore dhe të mesme të sigurohen nga MASH, pasi që e dimë se sigurimin për librat për shkollat fillore dhe të mesme e ka kompetencë vetëm kjo ministri, pavarësisht nëse kanë vullnet prindërit që në mënyrë vullnetare t`ju sigurojnë libra fëmijëve të tyre ata nuk kanë mundësi të gjejnë. Besojmë dhe shpresojmë që deri në fillim të vitit shkollor 2024/25, fëmijët të kenë libra”, tha Dauti.

Sipas informacioneve, në Tetovë, gjithsej shkollimin e mesëm e kanë përfunduar 1341 maturantë, ndërsa shkollimin fillore e përfundojnë 1028 semimaturantë./Koha.mk/