LAJMI I FUNDIT:

Frika joracionale nga përshkallëzimi i konfliktit

Frika joracionale nga përshkallëzimi i konfliktit

Presidenca e Bidenit i ka zgjatur dhe i ka thelluar konfliktet në Evropën Lindore dhe në Ballkanin Perëndimor. Në linjë me pararendësit e vet, kjo presidencë u gjend e papërgatitur për sa i përket ndjekjes agresive të agjendës ekspansioniste “bota ruse” nga ana e Moskës apo edhe ekuivalentes së saj serbe. Kjo presidencë nuk arriti ta pengojë agresionin, prandaj, tani, është përgjegjëse për pasojat.

Edhe pse shërbimet e inteligjencës amerikane e kishin zbuluar paraprakisht se ishte i pashmangshëm pushtimi i armatosur i Ukrainës, në shkurt të 2022-it, nga Rusia, politikëbërësit nuk mundën t’ia siguronin në kohë Kievit të gjitha armët e nevojshme për të mposhtur pushtuesin.

Qasja jo e drejtë e ShBA-së bazohej në dy supozime që nuk qëndronin. Së pari, zyrtarët ishin të bindur se Moska do të kërkonte një “shteg” të dilte nga lufta për shkak të dënimit që mori ndërkombëtarisht si dhe prej sanksioneve që i dëmtonin ekonominë.


Dhe, së dyti, politikëbërësit arritën në përfundimin se po t’i jepnin Ukrainës armë moderne më vdekjeprurëse, kjo do të çonte në “përshkallëzim” të situatës dhe kjo do ta bënte Moskën të sulmonte Perëndimin ose të përdorte armë taktike bërthamore kundër Ukrainës. Nga ana tjetër, Moska i konsideronte sanksionet, që ishin relativisht simbolike, si dobësi nga ana e Perëndimit dhe furnizimin e ngadaltë me armë të Ukrainës si frikë të Perëndimit prej Rusisë.

Aftësitë luftarake dhe përshtatja ushtarake të Ukrainës e habitën Shtëpinë e Bardhë, e cila priste që Kievi të kërkonte armëpushim, duke pasur parasysh potencialin e supozuar dërrmues të ushtrisë ruse. Në vend të kësaj, Ukraina demonstroi se një komb i vendosur për të mbijetuar dhe ruajtur shtetësinë e tij nuk mund të mposhtet lehtë, veçanërisht nga një shtet imperialist dhe thellësisht i korruptuar si Rusia.

Gjithsesi, ekipi i Biden vijoi t’ia ndalonte Ukrainës përdorimin e armëve perëndimore për të shkatërruar objektivat ushtarake brenda Rusisë. Kjo është sikur t’ia ndaloje Uashingtonit të mundohej për eliminimin e Osama bin Ladenit në Pakistan, pas sulmeve të 11 shtatorit nga al-Kaida në territorin amerikan. Kjo i dha Moskës mundësinë të grumbullonte forcat e veta për sulme të reja në territorin ukrainas dhe të vijonte me bombardimet e përditshme terroriste të qyteteve të Ukrainës.

Pra, lufta u zgjat nga mungesa e largpamësisë së ShBA-së dhe nga frika e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë. Në realitet, Moska nuk është në gjendje të intensifikojë armiqësitë duke sulmuar NATO-n në një luftë të mirëfilltë. Provokimet dhe paralajmërimet e saj për vijat e kuqe kanë rezultuar të pabazuara.

Përkundrazi, Rusia veçse arrin të përfshihet në kombinimin e zakonshëm të operacioneve për ndikim, korrupsionit financiar dhe sabotimeve që kanë për qëllim të përçajnë demokracitë perëndimore dhe të ulin vendosmërinë e tyre për të ndihmuar Ukrainën. Edhe Sekretari amerikan i Shtetit e ka kuptuar se të pengosh Kievin për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë është joproduktive dhe shton viktimat civile.

Kjo politikë për shmangien e rrezikut po ndryshon ngadalë, por, sidoqoftë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së dhe drejtori i CIA-s duhet të heqin dorë nga perceptimet e vjetruara mbi fuqinë e Rusisë, çfarë pengon Ukrainën të arrijë më shumë fitore dhe të çlirojë territorin e vet.

Strategjia e Administratës Biden në Ballkanin Perëndimor është, haptazi, një dështim edhe më i madh. Paqetimi i qeverisjes së Vuçiqit i ka intensifikuar ambiciet e Beogradit, i ka ftohur aleatët e Amerikës në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi dhe ka ndihmuar që t’i çelet rruga ndikimive përmbysëse ruse dhe kineze.

Në rajon, Uashingtonit i besohet më pak se ndonjëherë në historinë e kohëve të fundit, ndërkohë që strategjia e paqetimit ka zhbërë shumë nga progresi I arritur që nga rënia e Jugosllavisë në vitet 1990.

Ambasadorët dhe të dërguarit specialë të Bidenit në Ballkanin Perëndimor kanë inkurajuar ambiciet e Beogradit duke bërë lëshime për sa i përket njohjes së integritetit shtetëror të Kosovës dhe Bosnjës. Beogradi parasheh se koha punon në favor të tij për sa i takon rivendosjes së hegjemonisë rajonale të Serbisë. Kjo e ka inkurajuar edhe Republikën Sërpska të Dodikut të kërcënojë me shkëputje dhe të masë reagimet perëndimore.

Po ashtu, ka inkurajuar politikanët nacionalistë serbë në Mal të Zi që të kalojnë agjendat e veta në parlament. Të gjithë këta lojtarë politikë janë të idesë se SHBA-ja do të jetë gjithnjë e më e preokupuar me krizat në të tjera rajone dhe, pas zgjedhjeve presedenciale të nëntorit në Amerikë, do t’i kushtojë më pak vëmendje Ballkanit Perëndimor.

Ata gjithashtu besojnë se njësoj si në rastin e politikave të ndjekura ndaj Rusisë, Uashingtoni do të jetë i kujdesshëm që të mos e polarizojë Serbinë nga frika se mos kjo provokon një tjetër konflikt të armatosur në Evropë.

Frika joracionale nga përshkallëzimi i konfliktit – fobia e përshkallëzimit – është kthyer në një mjet (presioni) psikologjik që përdoret si nga Moska ashtu edhe nga Beogradi për të dobësuar vendosmërinë e ShBA-së dhe për të fituar avantazhe për politikat e tyre ekspansioniste.

Në të vërtetë, frika e tepruar prej provokimit të konfliktit të armatosur ka pikërisht efektin e kundërt të asaj që synohet, sepse kundërshtarët do ta ushqenin qëllimisht këtë frikë në mënyrë që të ndjekin objektivat e tyre jo fort të shqetësuar se mund të përballen me pasoja.

Që një superfuqi të mbizotërojë, ajo duhet të jetë në gjendje të çlirohet nga çfarëdo frike e pabazë, të përllogarisë saktë fuqinë e vet dhe të shfrytëzojë dobësitë e kundërshtarëve të saj. Kur ndonjë administrate i mungon vizioni dhe qartësia mbi objektivat e saj për sigurinë ndërkombëtare, atëherë ajo nuk mund të zhvillojë një politikë efektive për t’i arritur ato. /Gazeta “Dita”/

Në trend

Më shumë
Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Amerika
Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Magazina
Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Lajme

"Heroi rus i luftës në Ukrainë" rrahet për vdekje në stacionin policor në Rusi

Evropa
E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

Magazina
Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

La Liga
Kalo në kategori