LAJMI I FUNDIT:

Sefa depoziton kërkesën: Apeli të japë zgjidhje sa më shpejt për vulën e PD

Sefa depoziton kërkesën: Apeli të japë zgjidhje sa më shpejt për vulën e PD

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa i bëri thirrje Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupës gjykuese që në një kohë sa më të shkurtër t’i japë zgjidhje përfundimtare të gjithë problematikës gjyqësore që ka PD tashmë prej dy vitesh.

Sefa depozitoi kërkesën në Gjykatën e Apelit ndërsa foli për mediet pas daljes nga gjykata.

“Partia Demokratike në vazhdim të të gjitha kërkesave të saj publike për për shpejtimin e çështjes në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, ka ndjekur dhe rrugën ligjore dhe ato që duhet të ndiqen proceduralisht të gjitha hapat për përshpejtimin e gjykimit”, u shpreh Sefa.


“I bëjmë thirrje të gjithë palëve të përfshira, të gjithë elementit opozitar, të gjithë opinionit publik, të gjithë personave që kanë zë në këtë çështje t’i bëjnë thirrje Gjykatës së Apelit të shqyrtojë çështjen në mënyrë sa më të shpejtë dhe t’i japin zgjidhjen përfundimtare kësaj çështjeje”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Sefa foli edhe për atë që e cilësoi “ndërhyrje të palogjikshme, jo në frymën e respektimit të institucioneve të pavarur të drejtësisë”.

“Dua t’i bëj thirrje nënkryetarit të Parlamentit, që ligjshmëria përcaktohet nga rregullat, legjitimiteti është përcaktuar tashmë e 200 vite më parë si pasojë e të gjithë praktikave ligjore. Legjitimiteti bazohet mbi rregulla dhe rregullat duhet të justifikohen në bazë të ligjeve”, tha ai.

“Gjithashtu i bëj thirrje Gjykatës të marrë një vendim të drejtë, të pavarur dhe të pa ndikuar nga asnjë faktor politik. Gjithashtu i bëj thirrje komisionit të Rithemelimit i cili publikisht të shprehet që çdo vendimarrje të Gjykatës të Juridiksionit të Përgjithshëm do të pranohet dhe do të respektohet. Partia Demokratike e ka bërë të qartë që në krye të herës, çdo vendimmarrje të Gjykatës do të respektohet”, tha Sefa.

Ai i bëri thirrje Rithemelimit të dalë publikisht dhe të thotë që do të respektojnë vendimmarrjen e Gjykatës.