LAJMI I FUNDIT:

Fiat prezanton dy versione të reja të modelit 500e, Beaty dhe Music

Fiat prezanton dy versione të reja të modelit 500e, Beaty dhe Music

Fiat ka prezantuar dy versione të reja të modelit 500e, që i ka quajtur 500e Inspired By Beauty dhe 500e Inspired By Music.

Fiat 500 Inspired By Beauty është i lyer me ngjyrë rozë dhe ulëset i ka të veshura me lëkurë bezhë, e i njëjti material është përdorur edhe për “veshjen” e pjesëve tjera të metalta, transmeton Telegrafi.


Modeli 500e Inspired By Music është i ngjashëm, i lyer me ngjyrë të zezë dhe zërim të kompanisë JBL që ka vendosur shtatë altoparlantë.

Edhe pse nuk ka shumë gjëra që i ndanë këto dy versione të veçanta, të dy janë të pajisur me dritat LED, fshesat me sensorë të shiut dhe fellne 17-inç.

Blerësit mund të llogaritin në ekranin 7-inç dhe një tjetër 10.5 të sistemit infotainment që mbështet Android Auto dhe Apple CarPlay.

Modelet janë të pajisura gjithashtu me sistemet gjysmë-autonome të vozitjes të nivelit të dytë, e pjesë e pakove janë edhe frenimet automatike në situata emergjente si dhe sistemi për paralajmërim të këmbësorëve.

Veturat i vënë lëvizje motori që prodhon 119 kuaj-fuqi që ka një bateri prej 42 kWh. Kjo fuqi motorike është e mjaftueshme që shpejtësia nga 0-100 kilometra në orë të arrihet për më pak se 9 sekonda, kurse ajo maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 151 km/h. Gjithashtu ka një rreze prej 240 kilometrave.

Bateria mund të mbushet për rreth katër orë e 15 minuta me përdorimin e mbushësit 11 kW. E nëse përdoret mbushësi i shpejtë prej 85 kW DC, bateria mund të mbushet nga 0-80 për qind për vetëm 35 minuta. /Telegrafi/