LAJMI I FUNDIT:

Presidenca dhe GIZ Kosova me memorandum bashkëpunimi për forcimin e rolit të shoqërisë civile drejt avancimit të grave

Presidenca dhe GIZ Kosova me memorandum bashkëpunimi për forcimin e rolit të shoqërisë civile drejt avancimit të grave

Zyra e Presidentes ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me GIZ Kosova, me qëllim forcimin e rolit të shoqërisë civile drejt avancimit më të shpejtë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se roli i shoqërisë civile në përshpejtim të zbatimit të plotë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është thelbësor, sidomos në nivel lokal.


“Si pjesë e edicionit të radhës së Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet këtë prill në Prishtinë, palët nënshkruese do të ofrojnë mundësi për mbështetje të OJQ-ve vendore duke ofruar hapësirë për prezantim të projekteve ideore në lidhje me zhvillimin e politikave të përgjegjshme gjinore dhe klimatike, dhe inkurajimin e lidershipit të grave në veprimin për klimën”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej theksohet se ky bashkëpunim shërben si konfirmim i Kosovës dhe Gjermanisë për të punuar bashkërisht me synim për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, paqësor dhe të qëndrueshëm për gratë e vajzat. /Telegrafi/