LAJMI I FUNDIT:

Dogana konfiskon mbi 17 mijë pako cigare elektronike në autobusin e linjës Gjermani-Kosovë

Dogana konfiskon mbi 17 mijë pako cigare elektronike në autobusin e linjës Gjermani-Kosovë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se sot në pikë kalimin kufitar të Merdares u zbulua një sasi e konsiderueshme e cigareve elektronike të padeklaruara gjatë tentimit për kontrabandim.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se në Merdare janë gjetur 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, transmeton Telegrafi.

“Në pikën kufitare (PKK) Merdare, ka arritur autobusi i linjës së rregullt nga Gjermania për në Kosovë. Në pyetjen e oficerëve doganorë se a ka diçka për të deklaruar, shoferi është përgjigjur se ka sasi minimale. Oficerët doganorë kanë kërkuar hapjen e të gjitha bagazheve, derisa drejtuesi i mjetit ka deklaruar se bagazhet në pjesën e majtë të autobusit nuk hapen. Oficeret Doganore së bashku me Oficerët e Policisë kanë hapur bagazhet, ku janë gjetur sasi prej 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, së bashku me 10,000 thithje (puffs) në sasi prej 20 ml secila, fillimisht në pjesën e majtë të bagazhit. Pas kësaj, autobusi është selektuar për kontroll të vijës së dytë, respektivisht për kontroll detal”, thuhet në njoftim.


Dogana shton më tej se kontrolli ka rezultuar me gjetjen edhe të një sasie të konsiderueshme të cigareve elektronike në fund të autobusit dhe nën karrige të mbuluara me valixhe dhe gjësende të udhëtarëve.

“Drejtuesi i autobusit ka pranuar verbalisht se malli i takon atij. Tërë sasia është konfiskuar derisa veprimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë në përputhje me procedurat dhe rregulloret relevante të doganës”, vijon njoftimi.

Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi./Telegrafi/