LAJMI I FUNDIT:

​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

​Remitancat shënojnë rritje vjetore më 2023 prej 10 për qind

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin dhjetor 2023, si dhe statistikat e remitancave për nëntor dhe ato preliminare për dhjetor 2023.

Siç njofton BQK, asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të dhjetorit 2023 janë rritur për 14.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur 513.5 milionë euro.

Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 70.4 % të gjithsej aseteve.


Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në dhjetor 2023 arritën vlerën 361.6 milionë euro ose 7.1 milionë më shumë krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 61% totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.

Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin dhjetor ishte 41.4 milionë.

Sipas BQK-së, asetet e kompanive të sigurimit në fund të dhjetorit arritën vlerën 304.1 milionë euro ose 3.5 milionë më shumë krahasuar me muajin paraprak.

Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale që përbëjnë 45.8%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.4 % dhe risigurimet me pjesëmarrje 14.2 %.

Asetet e fondeve pensionale në fund të dhjetorit janë rritur për 62.9 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke shënuar vlerën rreth 2.71 miliardë euro.

Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbejnë 74.5% të gjithsej aseteve.

Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për dhjetor ishin rreth 129.1 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 49.9%, kanalet tjera 36.7%, ndërsa përmes bankave komerciale 13.3%.

Remitancat deri në fund të dhjetorit 2023 arritën vlerën rreth 1,344.5 milionë euro, e cila paraqet rritje vjetore prej 10 për qind. /Telegrafi/