LAJMI I FUNDIT:

Pëshpërima prapa perdeve: Nënat rrëfejnë vështirësitë gjatë luftës në Kosovë

Pëshpërima prapa perdeve: Nënat rrëfejnë vështirësitë gjatë luftës në Kosovë

Përveç syve të gjelbër dhe dashurisë për artin pamor, Renea Begolli dhe Luiza Thaqin i bashkon edhe viti i lindjes: 1998. Ky fat ka bërë që dy artistet të ndiqen gjatë gjithë jetës nga etiketimi si “fëmijë të luftës”.

Kjo e përbashkët ka shtyrë Luizën dhe Renean të diskutojnë shpeshherë për ndikimin e luftës së fundit në Kosovë në jetën e përditshme.


Së voni, ky interesim i tyre rezultoi edhe në një ekspozitë, të titulluar: “Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë”.

Në këtë ekspozitë, që zë vend në një hapësirë të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, shfaqen rrëfimet e grave që u bënë nëna gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe tregohen vështirësitë në të cilat ato kaluan. E gjitha kjo për një arsye: Luiza dhe Renea ndiejnë se historitë e grave shpesh përjashtohen nga diskutimet lidhur me luftën në vend.

“Gjithmonë dëgjojmë histori të luftës për luftëtarët, për tragjedi të ndryshme – histori këto që qëndrojnë. Por, e kemi parë që historitë e grave kanë qenë diskutim veç brenda shtëpive dhe mes grave”, thotë Luiza.

Gjatë përgatitjes së ekspozitës, ato intervistuan dhjetë gra. Qëllimi i tyre ishte që historitë e grave dhe vështirësitë e tyre të dëgjohen edhe jashtë katër mureve të shtëpisë.

“Kemi dashur ta krijojmë një vepër që u dedikohet nënave tona. Sepse, e kemi parë që edhe nëpër shtëpi, normalizohet kjo temë dhe minimizohet rëndësia e këtyre rrëfimeve. Dhe, për këtë arsye, kemi dashur ta nxisim një diskutim më të gjerë”, thotë Renea.

Se si do të dukej ekspozita, u vendos nga rrëfimet e grave të intervistuara. Këto rrëfime dëgjohen vazhdimisht në ekspozitë.

Përmendja e shpeshtë e perdeve si mjet për t’i mbajtur dhomat e errëta dhe atë që ndodhte brenda shtëpive jashtë syve të publikut, bëri që dy 25-vjeçaret të përdornin perde si material për instalacionin, raporton REL.

Meqë gratë përmendnin se ato kishin kaluar nëpër nivele të ndryshme të vështirësive, perdet janë kapur me penj për të simbolizuar një rrugëtim nëpër nivele të ndryshme.

Për Renean dhe Luizën, citatet e grave të intervistuara janë pjesa më e rëndësishme e ekspozitës dhe, për këtë arsye, ato kanë tentuar që instalacioni të shërbejë vetëm si një mjet për ta qetësuar audiencën teksa i dëgjon rrëfimet.

Rrëfimet e padëgjuara të grave

“Lufta për krejt ka qenë e rëndë. Për askënd nuk ka qenë e lehtë, sepse vetë fjala luftë të tmerron. Por, për gratë shtatzëna ka qenë edhe një herë më e tmerrshme”, thuhet në një pjesë të audios që dëgjohet në atë hapësirë.

Kjo fjali ka mbetur në mendje të Luizës, për shkak se ajo simbolizon pikërisht rëndësinë e projektit, i cili ka nisur me nënën e saj dhe atë të Reneas.

Që në fëmijëri, të dyja mbajnë mend t’i kenë dëgjuar shpeshherë nënat e tyre duke treguar se si ka qenë e vështirë të sigurohen gjërat e nevojshme për rritjen e fëmijëve gjatë luftës.

Por, intervistat e realizuara këtë vit zbuluan shumë më shumë për përjetimet e dy nënave. Ato shpalosen në një libër të shkurtër, të publikuar bashkë me ekspozitën.

Kur nëna e Luizës, Vera, kishte shkuar për herë të parë për t’u kontrolluar gjatë shtatzënisë, më 1998, mjeku e kishte pritur me pyetjen: “A ke menduar për abort?”

“Kurrë jo, njerëzit po vdesin përjashta e unë ta vras fëmijën tim me dorën time…”, mban mend të jetë përgjigjur ajo.

Por, përkundër sigurisë se donte ta mbante fëmijën dhe ta rriste atë, Vera nuk ishte imune ndaj frikës.

“Prej vitit 1998 e tutje, ti nuk e ke ditur se çfarë të pret ditën e nesërme. Kur ka ardhur nata [në spitalin e Prizrenit, pas lindjes] ka pasur shumë pasiguri”, thotë ajo.

Gjatë kohës sa ishte në spital, rreth 30 kilometra larg, në Rahovec kishte ndodhur një masakër.

Sipas të dhënave të organizatës Human Rights Watch, bëhej fjalë për sulmet e zhvilluara në korrik të vitit 1998, kur ishin vrarë e plagosur shumë shqiptarë që kishin kërkuar strehim në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec.

Ndërkohë, rreth 80 kilometra larg Verës jetonte nëna e Reneas, Arijeta, e cila po përjetonte për herë të parë mëmësinë.

Në trend Lajme

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë "një truk” tjetër

Politikë
Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit

Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit

Lajme

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Knaus: Komiteti i Ministrave të caktoj një mbledhje të jashtëzakonshme brenda disa jave, të votojë aplikacionin e Kosovës pasi të ketë ecur përpara me çështjen e Asociacionit

Knaus: Komiteti i Ministrave të caktoj një mbledhje të jashtëzakonshme brenda disa jave, të votojë aplikacionin e Kosovës pasi të ketë ecur përpara me çështjen e Asociacionit

Lajme
Sfidat dhe përgjegjësia e mediave në gjuhën serbe në Kosovë, flasin Zulfija Jakupi e Isak Vorguçiq

Sfidat dhe përgjegjësia e mediave në gjuhën serbe në Kosovë, flasin Zulfija Jakupi e Isak Vorguçiq

Lajme
Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Lajme
Kalo në kategori