“E kemi thënë atë që populli dëshiron ta dëgjojë dhe e sheh si vlerë të tijën” – kështu e shpjegon Branimir Nestoroviq suksesin e listës së tij zgjedhore “Ne, zëri i popullit” në zgjedhjet e Serbisë, më 17 dhjetor.
Rezultati i listës së këtij mjeku dhe ‘adhuruesi’ të teorive të konspiracionit – i cili ka kontestuar coronavirusin, ndërsa publikisht ka kërkuar prova “më bindëse” se Toka nuk është pllakë e sheshtë – konsiderohet si befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Kjo listë pro-ruse ka lënë jashtë pragut elektoral shumë aktorë të njohur politikë.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ajo ka fituar 4.8 për qind të votave, që mund t’i sjellin 13 mandate në Kuvendin e Serbisë.
Ndërsa, në Beograd, kjo listë mund të jetë vendimtare për formimin e qeverisë.
Sociologu serb, Zoran Stojilkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha zgjedhjet sjellin disa mundësi për lojtarët që, zakonisht, luajnë vetëm një sezon zgjedhor, por se ata mund t’i hapin vetes edhe shanse për një prani më të gjatë.
“Nuk po flasim për 10, 15 apo 20 për qind të votave të kësaj liste. Po flasim për diçka nën 5 për qind të votave”, thotë ai.
Stojilkoviq vlerëson se mes pushtetit dhe koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, një pjesë e qytetarëve ka dashur diçka tjetër.
“Politika e forcës së tretë, e cila është demokratike, por qartazi eurofobike, është një pozicion që ka mundur ta artikulojë atë qëndrim, aq më tepër që e djathta kombëtare nuk ka treguar vullnet për të krijuar koalicione mjaft të gjera për të kaluar pragun”, thotë Stojilkoviq.
Sipas deklaratave të Branimir Nestoroviqit natën e zgjedhjeve, listën “Ne, zëri i popullit” e ka mbledhur kundërshtimi i “perëndimorëve që duan të na marrin Kosovën”.
Ai është fytyra më e njohur e listës zgjedhore “Ne, zëri i popullit”.
Për publikun është bërë i njohur kur në botë është shfaqur coronavirusi, të cilin e ka cilësuar si “virusin më qesharak në historinë e njerëzimit, që ekziston në Facebook”.
Nga ajo kohë daton edhe mesazhi i tij për gratë që mund të shkojnë lirisht në Milano të Italisë për të bërë pazare, në kohën kur situata me coronavirusin në Itali ishte alarmante.
Kujt ia mori votat Nestoroviq?
Branimir Nestoroviq nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, ndërsa, natën e zgjedhjeve, ai tha për Radio Televizionin e Serbisë se duket se lista e tij “ka marrë pak nga të gjithë, një për qind nga të gjithë”.
Sociologu Stojilkoviq nuk beson se kjo listë ka marrë vota nga partitë në pushtet, e as nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, i cili ka dalë i dyti në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.
“Mendoj se një pjesë e votave janë nga ato që ai i ka siguruar [lëvizjes] Dveri herën e kaluar, por, në anën tjetër, është një numër abstenuesish ndoshta të aktivizuar, e jo patjetër të përfshirë në politikë”, thotë Stojilkoviq.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Nestoroviq mbështeti listën e djathtë, të udhëhequr nga lëvizja serbe, Dveri, dhe udhëheqësi i saj, Boshko Obradoviq.
Siç e ka thënë edhe vetë, ai edhe më herët ka qenë politikisht aktiv, fillimisht si anëtar i Lëvizjes Serbe për Rindërtim, e më pas i Partisë Demokratike.
Cilat ishin mesazhet e fushatës?
Gjatë fushatës, Nestoroviq iu drejtua votuesve me “shajkaça” – siç njihet kapela kombëtare serbe – në kokë.
Gjatë fushatës zgjedhore, ai e kritikoi vazhdimisht bashkëpunimin e Serbisë me vendet perëndimore.
“Serbia është në një situatë ku ka një klientelë perëndimore, e cila tregon përralla për rrugën evropiane. Ne ishim Evropë përpara se ajo ta dinte se [Evropa] ekziston”, tha Nestoroviq në një tubim zgjedhor më 10 dhjetor, transmeton Beta.
Më 6 dhjetor, Nestoroviq kritikoi edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë që flasin për “miq nga Perëndimi”.
“Pranë miqve të tillë, ne vërtet nuk kemi nevojë për armiq”, tha ai.
Atëkohë, ai po ashtu tha se Perëndimi “nuk e fsheh” se është armik i Serbisë.
Theksoi se Marrëveshjet e Brukselit me Kosovën do t’i shpallte të pavlefshme.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh atë.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Në tubimin parazgjedhor të 13 dhjetorit, Nestoroviq tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është “idhull i tij”.
Në listën “Ne, zëri i popullit” është edhe Dragan Stanojeviq, pak i njohur në Serbi, por i përshkruar si lojtar shumë pro-rus, i cili është nën sanksionet e Ukrainës.
Sociologu Zoran Stojilkovoq thotë se në Serbi, “për një kohë mjaft të gjatë, një lloj ndjenje pro-kineze dhe pro-ruse është ushqyer nga regjimi”.
“Ekzistojnë dy lloje të konsensusit të shumicës në elektoratin e polarizuar këtu – kundërshtimi ndaj integrimit në NATO dhe sanksionet kundër Rusisë. Nestoroviq ka marrë një pjesë të këtij disponimi”, thotë Stojilkoviq.
Mbulim mediatik gjatë fushatës
Gjatë fushatës zgjedhore në nëntor dhe dhjetor, lista e Nestoroviqit ishte e përfaqësuar dobët në televizionet me mbulim kombëtar, sipas një hulumtimi të Byrosë për Kërkime Sociale në Serbi (BIRODI).
Të dhënat tregojnë se në nëntor lista e tij kishte gjithsej pak më shumë se katër minuta në televizionet RTS, Pink, Happy, B92 dhe Prva.
Gjatë dhjetorit, lista e Nestoroviqit kishte gjithsej 20 minuta në kanalet televizive me mbulim kombëtar.
Ajo u prezantua kryesisht në një kontekst pozitiv, më pak në një kontekst neutral dhe asnjëherë në kontekst negativ.
Hapësirë më të madhe mediatike kishte në TV Happy.
Sa i përket numrit të përgjithshëm të minutave që lista “Ne, zëri i popullit” kishte në televizionet me mbulim kombëtar, ajo ishte në radhët e partive minoritare.
Para fushatës zgjedhore, Nestoroviq ishte mysafir i shpeshtë i Televizionit Happy, i cili ka mbulim kombëtar në Serbi. Aty, përveçse rrëfente teori të ndryshme konspirative, fliste edhe për tema gjeopolitike, si lufta në Ukrainë.
Kur fliste për luftën në Ukrainë, ai e bënte këtë nga një pozicion pro-rus.
“Ne, zëri i popullit” në rrjete
Ueb-faqja e listës “Ne, zëri i popullit” regjistroi gati 93 mijë vizita në muajin e fundit.
Mesatarja e qëndrimit në ueb-faqe ishte mbi tre minuta, sipas të dhënave të faqes Similarweb, e cila regjistron analitikën e mbi një miliard faqeve.
Vendet nga të cilat u lexua më së shumti, ishin Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ndërsa mosha e lexuesve ishte kryesisht nga 45 deri në 64 vjeç.
Domeni u regjistrua nga një person fizik i paidentifikuar, më 19 qershor të këtij viti.
Lexuesit arritën më shpesh në këtë ueb-faqe përmes platformës YouTube.
Kanali në YouTube i listës “Ne, zëri i popullit” ka gati 28 mijë abonentë dhe ka publikuar 183 video.
Kanali është hapur në shkurt të këtij viti dhe që atëherë ka 2.6 milionë shikime të videove.
Përveç kësaj, paraqitjet e Nestoroviqit në kanalin e të djathtëve, BalkanInfo, kanë edhe nga 190 mijë shikime.
Në rrjetin X – dikur Twitter – llogaria e këtij opsioni politik numëron rreth 2.000 ndjekës, ndërsa në kanalin Telegram pak më shumë se 8.000.
Në Facebook ka 16.000 ndjekës dhe mbi 8.000 pëlqime. Faqja është regjistruar më 18 maj të këtij viti dhe, sipas të dhënave të Meta-s, ajo nuk ka pasur reklama me pagesë gjatë fushatës.
Në Instagram, lista ka 3.500 ndjekës dhe këtë llogari e ka hapur në tetor të këtij viti.
Në rrjetin rus, Vkontakte, i cili konsiderohet si Facebook-u rus, ekziston edhe një profil “Ne, zëri i popullit” që ka 713 ndjekës.
Kanalet pro-ruse në Telegram nuk i kishin pothuajse fare në fokus zgjedhjet në Serbi, por postimet e rralla që mbështesnin ndonjë opsion politik, ishin pikërisht për listën e Nestoroviqit.
Nga shtabi i krizës te teoritë e konspiracionit
Si ish-drejtues i pulmologjisë në Klinikën Universitare të Fëmijëve në Beograd dhe profesor në pension i Fakultetit të Mjekësisë, Nestoroviq është bërë anëtar i Shtabit të Krizave, i formuar për të luftuar sëmundjen infektive COVID-19.
Siç ka thënë vetë për mediat, ai është larguar nga ai organ për shkak të mospajtimeve me vendimet e marra.
Nestoroviq ka dalë publikisht me pretendime për të cilat nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Në janar të vitit 2021, ai ka thënë në TV Happy se Organizata Botërore e Shëndetësisë, në mënyrë të pajustifikueshme, e ka shpallur sëmundjen COVID-19 pandemi, për ta rrëzuar, siç ka thënë, ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Në maj të vitit 2022, në një intervistë në kanalin Republika TV në YouTube, ai ka thënë se nuk beson se Toka është një “pllakë e sheshtë”, por se kur i lexon argumentet e njërës palë dhe tjetrës, “asnjë prej tyre nuk janë bindëse”.
I pyetur nga një gazetar në TV Happy në qershor të vitit 2022 për tezën se “gratë lindin fëmijë me gjenet e të gjithë njerëzve me të cilët kanë pasur marrëdhënie seksuale deri në atë kohë”, ai është përgjigjur se “kjo është e vërtetuar në mënyrë mjekësore”.
Në prill të vitit 2023, ai ka thënë për Televizionin K1 se mjekësia që ka studiuar, gënjen.
“Nëntëdhjetë për qind e asaj që kam mësuar në kolegj, ka qenë absurditet i plotë”, ka thënë Nestoroviq në atë kohë.
Ku tash?
Lista “Ne, zëri i popullit”, siç pretendon tani Branimir Nestoroviq, nuk do të jetë as me partinë në pushtet, as me koalicionin opozitar “Serbia kundër dhunës”.
Natën e zgjedhjeve, ai tha në TV N1 se lista e tij “nuk e pëlqen asnjë opsion”. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes
Ish-presidenti brazilian, Bolsonaro akuzohet për komplot për grusht shteti
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump
Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje