LAJMI I FUNDIT:

Kryetarja e një partie në Serbi, pretendon se ka hyrë ilegalisht në Kosovë

Kryetarja e një partie në Serbi, pretendon se ka hyrë ilegalisht në Kosovë

Kryetarja e partisë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq – Stamenkovski, përmes një postimi  në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se përmes pyllit ka hyrë në Kosovë.

Krahas fotos, të postuar në platformën “X” ajo ka shkruar “Kush e di qëllimin e di rrugën”, udhëheqësja e “Tubimit Kombëtar” (protestave antiqeveritare në Serbi) kujtoi se “autoritetet në Prishtinë prej vitesh nuk e lejojnë të hyjë në Kosovë”.


“Me vite ma kanë bllokuar hyrjen në Kosovë me pretekstin se po ua prish ‘rendin kushtetues’. Është e rëndësishme për mua të mbroj rendin kushtetues të vendit tim. Menduan se do të më ndalonin edhe sonte, por siç thashë – kush e di qëllimin, e di rrugën, qoftë edhe nëpër pyll. Përshëndetje nga fshati Reçicë!”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.

Paraprakisht ajo kishte  folur drejtpërdrejt në Facebook nga fshati Rastelicë i komunës së Kurshumlisë, qindra metra larg vijës kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe ka paralajmëruar se do ta kalojë atë.

Gjurgjeviq tha se nuk ka më serbë në atë fshat dhe “ekstremistët shqiptarë hyjnë rregullisht atë fshat, duke kaluar kufirin për të prerë pyjet” . /Telegrafi/