LAJMI I FUNDIT:

Këshilli i Investitorëve Evropianë zgjedh bordin e ri drejtues

Këshilli i Investitorëve Evropianë zgjedh bordin e ri drejtues

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur mbledhjen e 12-të të Kuvendit të Përgjithshëm, gjatë së cilës u përzgjodhën anëtarët e rinjë të Bordit Drejtues për dy vitet e ardhshme.

Drejtori i Këshillit, Emrush Ujkani, në fjalët hyrëse gjatë këtij takimi shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e palëkundshme dhe kontributin e çmuar të bordit në shkuarje dhe të anëtarëve të EIC përgjatë viteve, duke theksuar se dedikimi dhe angazhimi i tyre kanë luajtur një rol thelbësor në vazhdimin e suksesit të organizatës.

Eriola Bibolli, kryetarja në ikje e Bordit, theksoi suksesin e shkëlqyer të Këshillit të Investitorëve Evropianë si një urë e rëndësishme midis bizneseve dhe Qeverisë, veçanërisht gjatë sfidave të paraqitura përgjatë këtyre dy viteve.


AnnaCarin Platon, shefe e seksionit për politika në zyrë e BE-së në Kosovë, përgëzoi EIC-në për të arriturat dhe bashkëpunimin e mirë me zyrën e BE-së, duke theksuar vazhdimësinë e përkrahjes së BE-së për organizatën.

Derisa, Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it në Kosovë, u shpreh se është i lumtur të shoh dinamizmin e sektorit privat në Kosovë duke theksuar se EIC luan rol shumë të rëndësishëm në inkurajimin e rritjes ekonomike dhe investimeve të reja.

“Kuvendi i Përgjithshëm i Këshillit të Investitorëve Evropian, përzgjodhi Bordin e ri Drejtues, i cili do të ketë këtë përbërje: Genond Mesareja (Sigma Vienna Insurance Group), kryesues i Bordit, Visar Paçarada (ProCredit Bank), zëvendëskryesues i Bordit, Gresë Rexhepi (Pwc), drejtoreshë e thesarit të Bordit, Gokhan Acikgoz (Limak Kosovo), sekretar i Bordit, dhe Frosina Islami (Coca-Cola HBC), udhëheqëse e marëdhenieve me BE-në. Sipas statutit të Këshillit, këta anëtarë do të shërbejnë në Bord për një mandat dyvjeçar”, thuhet në njoftimin për media.

Genond Mesareja, kryetari i ri i Bordit të EIC theksoi mirënjohjen e tij për anëtarët e EIC që i kanë besuar këtë detyrë, duke u zotuar t’i shërbejë avancimit të mëtejmë të misionit të Këshillit.

Këshilli i Investitorëve Evropianë mirepret udhëheqjen e Bordit të ri te zgjedhur dhe mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për promovimin e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimit dhe mundësive të investimit nga e gjithë Evropa. /Telegrafi/