LAJMI I FUNDIT:

Mbi tre muaj pritje për një mamografi në Maqedoni

Mbi tre muaj pritje për një mamografi në Maqedoni

Vetëm gjatë vitit 2022, 356 gra kanë humbur jetën nga kanceri në gji në Maqedoninë e Veriut, bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik.

Këto shifra janë më të larta gjatë 12 vjetëve të fundit.

Në vitin 2021 nga kanceri në gji jetën e kanë humbur 337 gra. Përderisa dhjetë vjet më herët në vitin 2011, 272 gra e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.


Me gjithë shifrat alarmante, sfidë mbetet gjetja e një termini për kontroll, përkatësisht për incizim mamografik (metodë që përdoret kryesisht për diagnostikimin e kancerit të gjirit) dhe ekografisë së gjirit (ekzaminimi i strukturës së indit të gjirit) jo vetëm për rastet si masë parandaluese për gratë e moshës 45 vjeç, por edhe për gratë që tashmë janë diagnostikuar me kancer në gji.

Gëzimja, 52 vjeçe, nënë e dy fëmijëve pasi ka vërejtur disa nyje të forta në gji është paraqitur te mjeku amë më 26 shtator për të caktuar një termin për incizim mamografik.

Por, sistemi elektronik “termini im” për të realizuar mamografinë si termin ia ka caktuar 23 nëntorin.

“Tre muaj pritje janë ankth pasi kam frikë se nëse është diçka serioze, si dhe nëse do të vonohem me diagnostikimin dhe gjatë kësaj kohe do të më avancojë sëmundja”, na thotë Gëzimja teksa tregon fletë-udhëzimin për incizimin mamografik.

Edhe Lidija Jovançevska, 64-vjeçare, mësuese në pension, e cila tashmë ka kryer operimin gjirit pas diagnostikimit me kancer, thotë se mezi arrin të kryejë kontrollet e rregullta për shkak të mungesës së terminëve.

“Mezi caktova kontroll në spitalet shtetërore pasi si pensioniste, vështirë ta realizoj kontrollin në spitalet private. Më një nëntor do të bëj kontrollin më në fund, megjithëse më është dashur të pres më shumë se tre muaj”, tregon Lidija për Radion Evropa e Lirë.

Nga mjeku i është rekomanduar që brenda vitit të bëjë dy ekografi të gjirit [ekzaminimi i strukturës së indit të gjirit] dhe një mamografi, për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore.

Mungesa e terminëve në institucionet shëndetësore të shtetit jo rrallë e detyron Lidijan që të ndajë nga buka e gojës për të realizuar kontrolle në spitalet private.

Ndërkaq infermierja Filiz Ndoci, e cila është operuar nga kanceri në gji thotë se mungesa e mamografisë ka bërë që të diagnostikohet vonë me këtë sëmundje, dhe mosbesimi në institucionet e shtetit ka bërë që shërimin ta kërkojë në klinikat jashtë vendit.

“Incizimin mamografik për herë të parë pasi ndjeva një forcim në gji, e bëra në një klinikë private në prill të vitit 2022, pasi nuk kishte termin. Në atë kohë më doli negativ rezultati. Kontrollin e dytë e bëra pas 8 muajve po në një spital privat, sepse s’kishte termin edhe pse vetë jam infermiere në spital. Por, mjeku amë më tha: e sheh ka dhjetëra gra të diagnostikuara me kancer që presin mamografi? Unë sërish e bëra incizimin privat”, thotë për REL-in ajo, duke nënvizuar se pritja për tetë muaj për incizim për të ka qenë me pasoja, pasi sëmundja kishte avancuar në atë masë që duhej të hiqte gjirin.

Një incizim mamografik në spitalet private kushton 4.500 denarë (rreth 73 euro) në Maqedoninë e Veriut.

Kjo vlerë mund të arrijë edhe deri në 9 mijë denarë (rreth 150 euro) nëse bëhet edhe ekografia gjirit, si dhe ndonjë kontroll plotësues, që është më se i nevojshëm për gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut bën me dije se gjatë vitit 2022-2023 janë bërë një sërë ndryshimesh që të gjithë pacientët të mund të realizojnë të drejtën e kontrollit me kohë në sistemin shëndetësor të shtetit, pa pagesë.

Nga dikasteri i shëndetësisë theksojnë se është ulur kufiri i moshës për kontrollin e gjirit, për gratë nga mosha 50 në 45 vjeç. Po ashtu, me prioritet mbeten gratë që në familje kanë pasur të diagnostikuar ndonjë të afërt në familje me kancer, njëherësh është krijuar mundësia që edhe radiologu të krijojë referime, për të shkurtuar kohën e diagnostikimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ekografia e gjirit dhe mamografia kryhen në 24 qendra spitalore publike të vendit.

Por, mjekët që ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë në qendrat spitalore të Maqedonisë së Veriut thonë se terminët mbeten peng i mungesës së numrit të mjaftueshëm të aparateve mamografike dhe veçanërisht mungesës së mjekëve për të lexuar rezultatet.

Aparati i mamografisë është jashtë funksionit në spitalin e Shtipit, ku marrin shërbime pacientë nga shumë qytete të Maqedonisë së Veriut si Berova, Pehceva Vinica etj.

Pacientët nga këto qytete drejtohen në klinikën e Shkupit që edhe më shumë rrit kohën e pritjes.

“Mamografia nuk funksionon. Ndërkohë, pacientëve ose u japim termin për më tutje, ose i dërgojmë në vende të tjera”, bën të ditur për REL-in drejtori i spitalit të Shtipit, Alen Georgijev.

Për t’u riparuar pret edhe mamografi në Gjevgjeli.

Përderisa nga spitali i Veleshtës bëjnë të ditur se kontrollet nuk mund të realizohen pasi mungon mjeku radiolog./REL