LAJMI I FUNDIT:

Punonjëset e fasonerisë në Fier kërkojnë të mos zvarriten hetimet, reagon Prokuroria: Çështja është nën hetim

Punonjëset e fasonerisë në Fier kërkojnë të mos zvarriten hetimet, reagon Prokuroria: Çështja është nën hetim

70 gra e vajza, punëtore të një fasonerie protestuan një ditë më parë, pranë Prokurorisë Fier, për dhënien fund zvarritjes së shqyrtimit të kallëzimit penal ndaj kompanisë, e cila në mënyrë abuzive nuk ka paguar pagat për një periudhe prej dy muaj e 10 ditë.

Sipas tyre, kallëzimi ka më shumë së dy muaj që fle në zyrat e prokurorisë dhe asgjë nuk është bërë deri më sot për t’i dhënë fund hetimit gjyqësor.


Ndërkohë, Prokuroria e Fierit, përmes një njoftimi thotë se çështja penale është ende nën hetim. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin për veprën penale “Falimentimi i provokuar”, parashikuar nga neni 193, i Kodit Penal.

“Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga një grup punonjësish të subjektit ‘O.A’ SH.P.K., me administrator z. E.T, të cilët pretendojnë për shkelje ligjore të kryera nga kjo shoqëri lidhur me mosdhënien e pagave dhe mbylljen e aktivitetit.

Në funksion të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh hetimore. Çështja penale është ende në hetim dhe po vijon puna me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës”. /TCH/