LAJMI I FUNDIT:

Bislimi: LDK nuk është projekt lojërash politike e eksperimentesh publike

Bislimi: LDK nuk është projekt lojërash politike e eksperimentesh publike

Ish-anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi ka thënë se LDK nuk është projekt lojërash politike e eksperimentesh publike.

Në një reagim të bërë në Facebook, Bislimi thotë se është vetëm një rrugë që na shpie drejt vendit meritor në familjen e madhe të kombeve demokratike, dhe se ajo është miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Telegrafi.


Ai ka deklaruar se rrugën e gjatë dhe partneritetin me SHBA-në e ka arritur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe se vetëm përmes rrugës së njëjtë mund të arrihet zhvillimi i mëtutjeshëm.

“Ata që sot kërkojnë rrugë të re, shpërfaqin mungesën e thellë të të kuptuarit të rrugës historike të Presidentit Rugova, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq – përpjekjen agresive për të shkëputur familjen politike të Rugovës, pra LDK-në, nga rruga e vet historike ashtu që ta shuajnë njëherë e mirë filozofinë politike rugoviste duke e tjetërsuar LDK-në komplet. Cilado qoftë arsyeja, problemi është madhor”, thotë mes tjerash ai.

Për më shumë, reagimi i plotë pa ndërhyrje:

“LDK NUK ËSHTË PROJEKT LOJRASH POLITIKE E EKSPERIMENTESH PUBLIKE

Ne kemi vetëm një rrugë që na shpije drejtë vendit meritor në familjen e madhe të kombeve demokratike: miqësia permanente dhe unike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrugë tjetër nuk kemi! Këtë më së miri e dëshmon historia.

Qoftë Kongresi i Berlinit, apo Konferenca e Londrës, qoftë Negociatat e Vjenës apo edhe tash Dialogu i Brukselit, paraqesin fakte të pamohueshme historike dhe të tanishme që Evropa e vetme nuk ka arritë asnjëherë të zgjedhë siç duhet apo drejtë çështjen shqiptare në Ballkan. Përkundrazi, pa ndërhyrjen vendimtare të SHBA-ve që nga fillimshekulli i 20-të nën lidershipin e Presidentit Ëilson e deri tek qershori 2007 i porosisë së prerë të Presidentit Bush se “mjaft është mjaft dhe Kosova do jetë e pavarur,” neve s’do ishim as ku jem sot – pra, s’do kishim Republikën e Kosovës si shtet sovran e demokratik.

Por, mos të harrojmë se involvimi amerikan në Kosovë është vlerë e shtuar në mes internacionalizmit dhe nacionalizmit amerikan—është projekti i vetëm më i suksesshëm që historikisht ka bashkuar dy taborret e kundërta të spektrit politik në SHBA, demokratë e republikanë. Është pika me kulminante e asaj që në literaturën e shkencës politike njihet si “American Exceptionalism” (apo ‘përjashtimizmi amerikan).

Partneriteti ynë me aleatët evropianë është i rëndësisë strategjike dhe nuk duhet neglizhuar assesi, por kjo në asnjë variant nuk e zëvendëson rëndësinë e SHBA-ve dhe as miqësisë ekzistenciale që duhet ta ruajmë me të. Në mes të ‘soft power’ të Joseph S. Nye dhe ‘hard power’ të mendimtarëve realistë si Morgenthau e Waltz, zgjedhja bëhet e lehtë për një vend si ky i yni: trajektorja e zhvillimit tonë doemos kërkon të jemi në linjë me partnerë që fuqinë e vendimmarrjes nuk e bazojnë vetëm në teoritë e diplomacisë, por edhe në vlerat e fuqisë (qoftë ekonomike, apo edhe ushtarake).

Këtë rrugë të gjatë, transatlantike, por të brymosur me punë, sinqeritet, dhe partneritet të besueshëm, e trasoi Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Përmes kësaj rruge, Kosova arriti lirinë e pavarësinë. Vetëm përmes po të njejtës rrugë, Kosova mund të arrijë zhvillimin e mëtutjeshëm. Asnjë rrugë tjetër nuk kryen punë.

Si një akademik i Sorbonne-s, e apasionant i Bogdanit, Rugova kishte kuptuar jo vetëm vlerat kombëtare shqiptare, të ruajtura bukur fortë qoftë edhe nën petkun e një orientalizmi e pansllavizmi sipërfaqësor, por edhe vet idenë universale të lirisë si themel mbi të cilin ishte ngritë Amerika si fanar i demokracisë në botë. Në fjalimin e tij më të famshëm, Presidenti Lincoln pas Betejës së Gettysburg-ut më 1863, kishte thënë se “SHBA-të janë një shtet i brymosur nga liria dhe barazia e secilit para Zotit.”

Ndërlidhja e këtyre koncepteve vlerore të lirisë dhe evropianizmit autokton të shqiptarëve ishte bërthama e vizionit politik të Rugovës si lider që rrugën drejtë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë e bëri të suksesshme. Përtej Ghandi-t e Mandela-s, Martin Luther King-ut e Lech Walesa-s, rruga e Rugovës ishte ajo e ndërtimit të një ‘dashurie platonike’ në mes nevojës për ruajtjen biologjike të popullit tonë dhe përpjekjes për ndërkombëtarizimin e kauzës sonë.

Ata që sot kërkojnë rrugë të re, shpërfaqin mungesën e thellë të të kuptuarit të rrugës historike të Presidentit Rugova, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq – përpjekjen agresive për të shkëputur familjen politike të Rugovës, pra LDK-në, nga rruga e vet historike ashtu që ta shuajnë njëherë e mirë filozofinë politike rugoviste duke e tjetërsuar LDK-në komplet. Cilado qoftë arsyeja, problemi është madhor!

Ky problem, përtej LDK-së, sakaton edhe vet Kosovën. Një LDK e “rrugës së re” e ndarë nga rugovizmi si dajthtizmi më autentik kombëtar veç sa sforcon tutje oponentët politikë në spektrin e majtë. Një LDK e “rrugës së re” veç LDK e vërtetë nuk mund të jetë në kuptimin e vlerave politike, filozofisë rugoviste, dhe kohezionit të brendshëm. LDK nuk është projekt lojërash politike e eksperimentesh publike!

Siç ka thënë Presidenti Roosevelt: “në politikë asgjë nuk ndodhë rastësisht. Edhe nëse ndodhë, të jeni të sigurtë që ashtu ka qenë e planifikuar më herët.” Sot, më shumë se kurrë, neve na duhet që me syqeltësi, urtësi e mençuri ta ruajmë LDK-në nga çfarëdo “rastësie” që mund ta shmangë nga rruga e vet. Për mua, kjo është kauzë e shenjtë!

LDK i ka rrënjët thellë në kontributin monumental të shumicës dërmuese të popullit shqiptar të Kosovës, në sakrificën e qindra-mijëra aktivistëve, në financimin e organizimit paralel shtetëror nga mërgata jonë, dhe mbi të gjitha në trasimin e rrugës së vetme që na solli lirinë e pavarësinë, në miqësi permanente dhe unike me SHBA-të.

Andaj, vec një LDK e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare është forca politike që rrahë ende fort në zemrat e shqiptarëve që, përkundër dëshpërimeve të kohëpaskohshme, nuk e humbën asnjëherë besimin në të vërtetën—në filozofinë politike rugoviste si fanar që na ndriçoi rrugën e shtetndërtimit.

Bashkërisht, ne mund dhe duhet ta ruajmë LDK-në e vërtetë! Me lojalitet, durim e kurajo! Rrugë tjetër nuk kemi!”./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ku dhe si i gjeti policia kamerat në veri?

Ku dhe si i gjeti policia kamerat në veri?

Siguri
Mandl: Shkuarja e Borrellit nga pozita e shefit të diplomacisë së BE-së, në favor të Kosovës

Mandl: Shkuarja e Borrellit nga pozita e shefit të diplomacisë së BE-së, në favor të Kosovës

Lajme
Murati: Nga 1 korriku nis subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

Murati: Nga 1 korriku nis subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

Lajme
Policia largon një flamur serb me mbishkrimin Rusia si dhe ua largon bluzat provokuese serbëve në Gazimestan

Policia largon një flamur serb me mbishkrimin Rusia si dhe ua largon bluzat provokuese serbëve në Gazimestan

Lajme
BE shpreh keqardhje për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, por nuk e dënon aktin e Qeverisë serbe

BE shpreh keqardhje për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, por nuk e dënon aktin e Qeverisë serbe

Lajme
Kryeministri serb, Vuçeviq: Shpërfillja, përgjigja më e mirë për organizatorët e “Mirëdita, dobar dan”

Kryeministri serb, Vuçeviq: Shpërfillja, përgjigja më e mirë për organizatorët e “Mirëdita, dobar dan”

Lajme
Kalo në kategori