LAJMI I FUNDIT:

ARKEP: Kosova ka mbi 1 milion e 700 mijë përdorues të telefonisë mobile

ARKEP: Kosova ka mbi 1 milion e 700 mijë përdorues të telefonisë mobile

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka publikuar raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e dytë të vitit 2023 (TM2- 2023).

Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të dytë (TM2-2023) është 1,775,864  përkatësisht për 0.86% më i lartë krahasuar me tremujorin paraprak TM1-2023, ndërsa 2.77% me i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM2-2022).

Ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka ngritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2022) gjithashtu ka ngritje. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 97.8% të numrit të popullsisë.


Në periudhën TM2 2023 numri i parapaguesve të telefonisë fikse është 69,500, që paraqet një rënie prej 1.2% në krahasim me tremujorin e kaluar. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor është 3.83%, raporton RTK.

Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e BE-së.

Ndarja e përdoruesve të telefonisë fikse në individual dhe të biznesit për periudhën TM1 2018 deri në TM2 2023 është paraqitur në figurën e mëposhtme. Nga të dhënat në figurën mund të vërehet se struktura e parapaguesve të telefonisë fikse është në raport në mes të parapaguesve individualë dhe parapaguesve të biznesit 32% – 68%.

Numri i linjave të internetit me qasje fikse brez gjerë deri në TM2 2023 i raportuar nga operatorët është dhënë në figurën e mëposhtme dhe shënon shifrën 399,076 parapagues të internetit. Nga kjo vërehet një rritje prej 6.4% në krahasim me TM1 2023, respektivisht rritje prej 1.7% në krahasim me TM2 2022.

Ndërsa,penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 134.3%, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve (për 100 banorë) rezulton të jetë 21.9%.

Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband) apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G në periudhën TM2 2023 ka arritur në 1,521,569 përdoruesish e që shënon një ulje prej 2.2% krahasuar me TM1 2023, dhe një rritje prej rreth 6.4% krahasuar me TM2 2022. Në vijim është dhënë figura që paraqet krahasimin e përdoruesve me qasje 3G dhe 4G.

“Trendi i numrit të parapaguesve të qasjes në internet përmes rrjetit mobil që nga fillimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në treg është karakterizuar me një rritje të vazhdueshme . Në periudhën raportuese (TM2 2023) penetrimi i qasjes mobile është 84 %, ndërsa i asaj fikse 22 % për banor”, thuhet në raportin e ARKEP-it.