LAJMI I FUNDIT:

Kriza ekonomike, qytetarët: Pushimet veç në ëndërr

Kriza ekonomike, qytetarët: Pushimet veç në ëndërr

Për shkak të krizës ekonomike dhe çmimeve të larta, shumica e qytetarëve këtë vit nuk planifikojnë që të shkojnë në pushime. Edhe qytetarët që e kanë në plan të udhëtojnë diku, po bëjnë akoma përllogaritje nëse ju leverdis të shkojnë në pushime apo jo.

“Jo, financat…Shumë shumë shtrenjtë, së tepërmi, krejt anët katastrofë. Vjet kam shkuar por sivjet nuk do të shkoj askund, do të shëtis këtyre rrugëve”.

“E kam në plan, por gjithçka varet si do të jemi financiarisht. Çdo ditë lufton me punë këtu, për të mbijetuar, kur të bësh matematikë të dyfishtë, ne që jemi e klasit të mesëm, nëse shkon në pushim shpenzon, ndërsa nga ana tjetër këtu humb, të vjen dyfish shpenzime”.


“Unë për pushime nuk planifikoj, është shumë shtrenjtë…”.

“Unë jo, jam pensionist, e kam mirë në Shkup, ja bëj sport çdo ditë”.
Disa nga qytetarët që e kanë ndarë mendjen të shkojnë dikund, thonë se krahasuar me vitet e kaluara do të shkurtojnë ditët e pushimit, ndërsa destinacionet më të pëlqyera të qyterarëve që anketuam ishin Ohri dhe Greqia.

“Normalisht se planifikojmë të shkojmë, tani ndoshta jo 10 ditë, por 7 sigurt… Me siguri në Ohër do të shkojmë, çmimet janë ato që janë, të kalohet ndonjë ditë atje, thjeshtë të dalim nga shtëpia”.

“Ishim veçmë në Ohër, ishim 5 ditë.. Lartë poshtë ishte mirë”.

“Sigurisht që po, Sokobanja dhe më vonë në Greqi. Për çmimet varet nga agjencia, xhepi tregon për çmimet, aq sa keni aq harxhoni”.

Ju?

“Unë isha dhe faleminderit”.

“Po në Greqi me siguri…”.

Çmimet si ju duken?

“Nuk e di, sinqerisht akoma nuk e kam shikuar”.

Kushtet ekonomike, ndryshimi i standardit të jetesës, rritja e çmimeve të produkteve po e bën të vështirë që qytetarët të mund të kursejnë para për pushime. Nëse më parë një pushim në vit ishte e patjetërsueshme për një familje, tani edhe kjo gjë është shndërruar në luks. Shumica e qytetarëve për t’u përballur me temperaturat e larta, zgjedhin pishinat, si një opsion më i lirë. /Alsat.mk