LAJMI I FUNDIT:

Vrasja tronditëse në Gllogjan, javën e ardhshme nis gjykimi

Vrasja tronditëse në Gllogjan, javën e ardhshme nis gjykimi

Tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë të ndodhur në nëntor të vitit 2021 në Gllogjan, do të dalin para gjykatës javën tjetër.

Nga Gjykata Themelore e Pejës kanë konfirmuar për Telegrafin se seanca për këtë rast është caktuar më 24 maj, në orën 10:00.


“Lidhur me kërkesën tuaj për informacione, ju njoftojmë se seanca fillestare në rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, është caktuar për datë 24 Maj 2023, në ora 10:00”, ka thënë për zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

Prokurorja nuk e tregon motivin e vrasjes në Gllogjan, thotë se target ishte shoferi i autobusit
Lexo po ashtu Prokurorja nuk e tregon motivin e vrasjes në Gllogjan, thotë se target ishte shoferi i autobusit

Aktakuza ndaj tre të dyshuarve është ngritur para dy javësh nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në një konferencë për media ka thënë se aktakuza është ngritur ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.

Ndërsa, për të pandehurin Malsor Mehmetaj prokuroria ka vendosur që t’i pushojë hetimet pasi siç ka deklaruar prokurorja Gashi, pas përfundimit të hetimit dhe shqyrtimit të provave, nuk është arritur që të vërtetohet se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Pasditen e 26 nëntorit të vitit 2021, në Gllogjan të Deçanit janë vrarë tre persona e një është plagosur pas të shtënave me armë në drejtim të një autobusi, i cili po bartte nxënës nga Gjakova për në Gllogjan.

Autobusi ishte zënë në pritë siç thuhet nga një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit, dhe dy nxënës të moshës 17-vjeçare./Telegrafi/