LAJMI I FUNDIT:

Diktatori bjellorus Lukashenko është shumë i sëmurë, konfirmon zyrtari rus

Diktatori bjellorus Lukashenko është shumë i sëmurë, konfirmon zyrtari rus

Diktatori bjellorus Alexander Lukashenko është shumë i sëmurë, ka thënë zëvendëskryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore Ruse, Konstantin Zatulin, për botimin online rus Podyom më 14 maj.

Sidoqoftë, Zatulin theksoi se “nuk ka asgjë të mbinatyrshme atje, nuk është një coronavirus” dhe “personi thjesht është sëmurë … dhe ndoshta ka nevojë për pushim”.


Ndërkohë, zyra e Lukashenkos ka refuzuar të komentojë rreth një çështje të tillë.

Ndryshe, diktatori bjellorus nuk është parë në publik për më shumë se pesë ditë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Më herët, u raportua se Lukashenko kishte vizituar klinikën mjekësore presidenciale në kompleksin Drozdy pranë Minskut në mbrëmjen e 13 majit, pasi u përhapën thashethemet se ai ishte i sëmurë.

Lukashenko mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, por dukej “jo në disponim të mirë” dhe i sëmurë.

Ai nuk ishte në gjendje të ecte disa qindra metra deri në vendin ku do të vendoste lule së bashku me diktatorin rus Vladimir Putin dhe mysafirët e tjerë të huaj – presidentët e Taxhikistanit, Kirgistanit, Kazakistanit, Uzbekistanit, Turkmenistanit dhe kryeministrit të Armenisë.

Ai e pyeti Putinin nëse mund të shkonte në vendosjen e luleve me një makinë.

Më pas, diktatori bjellorus mungonte në një mëngjes për mysafirët e huaj të organizuar nga Putin.

Lukashenko u pa gjithashtu i veshur me një fashë në krah, dhe pas kthimit nga Moska, ai nuk mbajti fjalimin tradicional të 9 majit në Sheshin e Fitores në kryeqytetin bjellorusi Minsk.

Opozita bjelloruse ka pohuar gjithashtu se Lukashenko është i sëmurë. /Telegrafi/