LAJMI I FUNDIT:

Përndoqi dhe përdhunoi 13-vjeçaren, arrestohet pas pesë vitesh 35-vjeçari në Dimal

Përndoqi dhe përdhunoi 13-vjeçaren, arrestohet pas pesë vitesh 35-vjeçari në Dimal
Foto: Ilustrim

Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe përndjekje, është arrestuar dhe vënë në pranga nga policia e Beratit.

35-vjeçari rezulton i dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim, nga Gjykata e Sarandës, pasi ka përndjekur një shtetase të mitur 13 vjeçe dhe më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me të.


Ngjarja ka ndodhur në vitin 2018, ndërkohë që dënimi për 35-vjeçarin është dhënë në mungesë.

Policia njofton se veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariati i Policisë Sarandë.

“Shërbimet e Policisë Dimal kishin siguruar informacione se një shtetas i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë ishte strehuar në një banesë në qytetin e Dimalit”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Bazuar në këto infomacione dhe në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas koordinimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin Aljon Pasho, 35 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte strehuar në banesën e një të afërmi të tij”, shton policia.

“35-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë e ka dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Përndjekja”, njofton policia. /Telegrafi/