LAJMI I FUNDIT:

Ish-naftëtari legjendar që nxirrte naftë aty ku të tjerët dështonin: Nga 31 puse që hapa, 30 nxorën naftë

Ish-naftëtari legjendar që nxirrte naftë aty ku të tjerët dështonin: Nga 31 puse që hapa, 30 nxorën naftë

Vitet nuk ja kanë zbehur kujtimet ashtu si dhe gërmat e arta në titujt e nderit. Hero i një epoke të harruar, 89-vjeçari Avni Liçaj, ishte një legjendë e gjallë në sektorin e naftës.

Ishte djalë i ri kur filloi të punonte në naftë dhe vetëm pas disa vitesh kaloi nga punëtor i thjeshtë në përgjegjës pusi.

Për më shumë se dy dekada, Avniu shpoi 31 puse, nga të cilat vetëm njëri nuk nxori naftë. Në një kohë kur industria shqiptare e naftës po lulëzonte dhe armata të tëra specialistësh zbarkuan në zonat naftëmbajtëse te Fierit, Vlorës dhe Mallakastrës, Avniu ishte ndër njerëzit që mbaronin punë.


Historia e puseve të Drenovës dhe shpimit të tyre i ngjan një skenari filmi. Avniu u bë heroi i rrëfimeve për shpimin me sukses aty ku të gjithë kishin dështuar. Dy puse të famshëm në Mallakastër, të thellë 4000 metra, u kthyen në legjendë pasi aty dështuan dhe u pushuan nga puna inxhinierë, teknikë dhe punëtorë për tre vjet rradhazi.

Dëshmitar dhe pjesëtar i ekipeve të shpëtimit në ngjarje të rënda si shperthimi i pusit në Drenovë. Besnik i idealit, simbolin e të cilit e mban në xhaketë, por mbi të gjitha, i ndërgjegjes së tij.

Avni Liçaj jetoi mes sondave dhe puseve te naftës në një kohë kur kjo industri po lulëzonte megjithëse në kushte të vështira dhe me një teknologji të pazhvilluar mirë./Abc News Albania