LAJMI I FUNDIT:

“Puç institucional”, LDK lëshon seancën e Kuvendit në shenjë revolte ndaj sjelljes së ministrit Murati

“Puç institucional”, LDK lëshon seancën e Kuvendit në shenjë revolte ndaj sjelljes së ministrit Murati

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur të papërgjegjshme sjelljen e ministrit të Financave, Hekuran Murati që sipas tij me çdo kusht po tenton ta marrë buxhetin e komunave.

“Paaftësia dhe qëllimi i tij i keq po na sjell në një situatë ku ne refuzojmë që të komunikojmë me të, prej sot grupi parlamentar i LDK-së nuk merr pjesë në asnjë votim në seancë, nuk merr pjesë në votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk merr pjesë në votim në komisione dhe do ta shqyrtoj shumë shpejt edhe çështjen e marrjes pjesë në votim në Kryesi sepse është puç institucional kapja e buxhetit të komunave që janë të hyra vetanake”, ka thënë Gashi.


Ai shtoi se sjellja tekanjoze e ministrit Murati me qëllim ofendimi, përftimi dhe bllokimi për ne është e palejueshme dhe nuk mundemi me u sjell sikur nuk po ndodh asgjë.

“Ne si Grup Parlamentar për sot e lëshojmë seancën”, tha Gashi. /Telegrafi/