LAJMI I FUNDIT:

Asnjë shtrat i lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike

Asnjë shtrat i lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike

Instituti i Psikiatrisë Forenzike vazhdon të ketë kapacitete të limituara krahasuar me kërkesat që i drejtohen, sidomos nga organet e drejtësisë. Nga 30 shtretër sa janë aty, të gjithë janë të zënë dhe po trajtohen personat e dënuar për vepra penale e që kanë çrregullime psikike. Avokatët megjithëkëtë kritikojnë për vonesa të ekspertizave.

Gati tre muaj kanë kaluar prej se Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Dardan Krivaqës, i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, që i njëjti t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.


Por, raporti i një ekzaminimi të tillë ende nuk ka përfunduar, për shkak të siç thotë drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, fluksit të kërkesave që kanë e kapaciteteve të vogla.

Megjithëkëtë, janë në fazën përfundimtare të këtij raporti.

“Kjo ka qenë arsyeja kryesore ose primare, pas asaj ka pasur një volum të punës që është dashur të kryhen, pas asaj ne mund të themi se rasti i Dardan Krivaqës ndoshta ka qenë mediatik, por për neve ka qenë i zakonshëm, dhe me ardhjen me rendin është hy, ai i njëjti ka ndejt te ne për 4 ose 5 javë. Ekzaminimi nuk kryhet për një ditë ose një javë, duhet vërejtur sjelljet e pacientit, duhet vërejtur gjestet, simptomatologjinë, rrethin se si sillet me bashkëbanorët, andaj kjo ekspertizë duke qenë se është mediatike ka lypur një vëmendje të veçantë”, ka thënë Shpend Haxhibeqiri – Drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike / Foto: Ridvan Slivova – Telegrafi.com

Haxhibeqiri tutje ka treguar se numri i kërkesave për ekzaminime psikiatrik e për trajtimin e të pandehurve ka shënuar rënie këtë vit, por megjithëkëtë edhe më tutje asnjë shtrat nuk është i lirë nga rreth 30 sa janë në Institut.

“Në krahasim me vitin 2021, ka diku 50% më pak…Ne në kapacitetet e shtretërve jemi të kufizuar, ndërsa sa i përket stafit profesional jemi me numër të kënaqshëm por me numër të infermierëve jemi me një mungesë jashtëzakonisht të madhe, prej vitit 2018 deri më sot 8 punëtorë, infermierë e kanë lëshuar IPF-në, për një jetë më të mirë”, ka deklaruar ai.

Vonesat e realizimit të ekspertizave psikiatrike sipas ish-kryetarit të Odës së Avokatëve, po janë ndër arsyet që po zgjasin edhe proceset gjyqësore, derisa thotë se institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë.

“Një ndër çështjet jashtëzakonisht komplekse tek këto raste është edhe çështja e trajtimit të personave me çrregullime mendore, dhe për këtë sigurisht gjykatat kërkojnë mendime tek institucionet përkatëse respektivisht Institutit përkatës, vonesat në dhënien e mendimeve dhe ekspertizat për sistemin gjyqësor janë jashtëzakonisht të dëmshme të themi, sepse gjykatat nuk kanë kapacitet këto lëndë me i trajtu pa arrit mendimi nga institucioni përkatës”, ka deklaruar Osman Havolli – Avokat.

Brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike / Foto: Ridvan Slivova – Telegrafi.com

Njëjtë mendon edhe avokati Florim Shefqeti, por i cili ka kritika edhe për përpilimin e këtyre ekspertizave.

“Por, ajo çka ne vlerësojmë se duhet të trajtohet në këtë pjesë është me profesionalizmin e përgatitjes së tyre, respektivisht me sqarimet që jepen, sepse rrallë herë mund me ndodhë që nuk kërkohet prania e ekspertit për sqarim të ekspertizës, prandaj vlerësojmë se përmbajtja e saj do duhej të ishte konkrete”, ka thënë Shefqeti.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike është i vetmi institucion që realizon ekspertizat psikiatrike tek të pandehurit, dhe trajton personat e dënuar për vepra të ndryshme penale, e që kanë çrregullime psikike./RTVDukagjini/