LAJMI I FUNDIT:

Penov: Nuk jemi të kënaqur me angazhimin e komunave në mbledhjen e mjeteve të vetanake

Penov: Nuk jemi të kënaqur me angazhimin e komunave në mbledhjen e mjeteve të vetanake

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov tha sot nga Struga se nuk janë të kënaqur me angazhimin e komunave në mbledhjen e mjeteve vetanake, duke theksuar se edhe pse Qeveria ka rritur financimin, ideja e decentralizimit është pavarësi më të madhe financiare për vetëqeverisjen lokale.

I pyetur për gjendjen financiare në komuna, pas nënshkrimit të kontratës për rindërtimin e ISHP Institutit të Nefrologjisë në Strugë, Penov theksoi se gjendja nuk është e tmerrshme sepse shteti ua ka paguar gjysmën e borxheve.


“Situata tani nuk është aq e tmerrshme sa ka qenë, sepse para dy-tre vitesh, 50 për qind e borxheve të të gjitha komunave dhe ndërmarrjeve publike janë fshirë, pra janë paguar nga shteti. Në ndërkohë, Qeveria ka rritur pjesëmarrjen e saj në financimin e komunave.

Por më duhet të them se nuk jemi të kënaqur me angazhimin e vetë komunave në mbledhjen e mjeteve të vetanake. Ideja e decentralizimit është që komunat t’i shfrytëzojnë maksimalisht mjetet që kanë në dispozicion për financimin e tyre dhe kjo të përfaqësojë pjesën më të madhe të buxhetit komunal kundrejt granteve që marrin”, tha Penov.

Sipas tij, komunat mbledhin vetëm 30 për qind të shpenzimeve të nevojshme, ndërsa 70 për qind e mbetur ua jep shteti./Telegrafi/