LAJMI I FUNDIT:

Historia e Shazia Ramzanit – shoqes së shkollës së Malalas – tregon se pse arsimi duhet të jetë një e drejtë për të gjithë fëmijët

Historia e Shazia Ramzanit – shoqes së shkollës së Malalas – tregon se pse arsimi duhet të jetë një e drejtë për të gjithë fëmijët
Vajzat afgane duke bartur ujin e pijshëm, në provincën Nangarhar të Afganistanit (foto: Shafiullah Kakar/AFP/Getty Images)

Nga: Gordon Brown / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Shazia Ramzan e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës fëmijërore duke luftuar për të drejtën e vet – dhe të drejtën e të gjitha vajzave – për të shkuar në shkollë. Në vitin 2012, në moshën 14-vjeçare, ulur së bashku me shoqen Malala Yousafzai në autobusin që shkonte nga shkolla për në shtëpinë e saj – në luginën Suat në veri të Pakistanit – ajo u qëllua nga një ekstremist që synonte t’i ndalonte vajzat që të edukohen. Pësoi lëndimet nga të cilat ajo, Malala dhe shoqja e tyre Kainat u shëruan pas shumë muajve

Tashti që është duke e marrë diplomën për infermiere në Universitetin e Edinburgut dhe duke u bërë gati për të nisur shkollën e saj të trajnimit të infermiereve në Pakistan, Shazia në mendimet e veta pothuajse gjithmonë i ka nevojat e vajzave të zonës së saj. Në kohën mes orëve të mësimit, mbledh fonde për organizatat bamirëse pakistaneze që janë të heshtura, por që në mënyrë të suksesshme ndihmojnë vajzat afgane që po e humbin të drejtën e arsimimit qëkur talebanët i ndaluan ato që të ndjekin shkollat e mesme të vendit.


Janë pesë milionë vajza në Afganistan që aktualisht mbetën pa shkollë dhe ato kanë nevojë urgjente për mbështetjen tonë. Shumë prej tyre kanë rrezikuar gjithçka duke demonstruar rrugëve të Kabulit. Teksa herët a vonë regjimi do të zbulojë se nuk mund t’i shtypë përgjithmonë gratë e guximshme që e dinë se si është të jenë të lira, tash për tash protestueset e reja përballen me arrestime dhe tortura.

Historia e tyre e heshtur është ajo e guximit dhe qëndrueshmërisë. Vajzat në Afganistan gjithashtu rrezikohen nga rrahjet dhe ndëshkimet nëse ndjekin shkollat e fshehta të drejtuara nga prindërit dhe mësuesit. Shumë të tjerë po ikin përtej kufirit, në mërgim, në Pakistan, me shpresën për t’u arsimuar.

Por, për fat të keq, ato që kanë kaluar kufirin po i bashkohen radhës gjithnjë e më të madhe për shkollim në Pakistan, vend ky që tashmë ka 23 milionë fëmijë. Kjo nuk është vetëm për shkak të përmbytjeve të fundit në vend, të cilat kanë mbyllur 27 mijë shkolla, por për shkak të dështimit afatgjatë të Pakistanit për të investuar në arsimimin e vajzave.

Nëse shkon më tej, pamja bëhet edhe më e rëndë: këto vajza janë vetëm një pjesë e vogël e 222 milionë fëmijëve të prekur nga krizat në botë, që kanë nevojë të madhe për mbështetje në arsim. Prej tyre, 78.2 milionë, përfshirë këtu 42 milionë vajza, nuk shkojnë fare në shkollë, ndërsa të tjerët i vuajnë aq shumë ndërprerjet në arsimim saqë nuk arrijnë të fitojnë as aftësitë elementare të shkrim-leximit dhe të numërimit.

Numri i tyre, që është aq i madh saqë tashmë e tejkalon popullsinë e kombinuar të Gjermanisë, të Francës dhe të Britanisë, po rritet për çdo vit. Më shumë se 100 milionë njerëz janë refugjatë ose të zhvendosur brenda vendit, për shkak të konflikteve dhe luftërave civile – që nga Ukraina dhe Mianmari e deri te Republikën Demokratike e Kongos, Sudani, Etiopia dhe Somalia.

Megjithatë, një numër i madh fëmijësh sot janë dëbuar nga shtëpitë e veta jo për shkak të luftës, por sepse janë viktima të thatësirës, përmbytjeve dhe fatkeqësive tjera të shkaktuara nga klima ose nga fatkeqësitë natyrore. Në Turqi dhe Siri ende po numërohen të vdekurit, por duhet të adresojmë edhe nevojat urgjente të të gjallëve, të të gjithë atyre që janë zhvendosur me forcë nga tërmeti i 7.8 ballëve nga i cili duhen vitet e tëra për t’u rikuperuar. Edhe nëse arrijmë t’i ushqejmë, strehojmë dhe trajtojmë viktimat, do të mbesin pak para për të siguruar shkollimin e përkohshëm, përveç nëse ia dalim më mirë se në të kaluarën. Fëmijët që janë viktima të tërmetit, mund t’i kalojnë vitet si të përjashtuar nga arsimi.

Në Turqi dhe në Siri, si kudo tjetër, do të jenë vajzat ato që do të vuajnë më shumë: ato kanë 35 për qind më shumë gjasa që të jenë jashtë shkollës sesa moshatarët meshkuj, kjo sipas të dhënave të UNESCO-s. Dhe, jemi paralajmëruar të presim se deri në vitin 2030 shumë nga to – 10 milionë vajza të tjera – do të detyrohen të martohen si fëmijë. Numri i nuseve vajza do të rritet sërish pas shumë viteve të rënies së martesës së detyruar.

Fëmijët nuk duhet të presin që të mbarojnë luftërat, ose që efektet e fatkeqësive natyrore të pakësohen, për të pasur mundësi për të mësuar dhe përparuar. Duhet financuar arsimimin e 222 milionëve të harruarve për të cilët Edukimi Nuk Pret (ECW), të cilin unë e kryesoj, u krijua në vitin 2017. Konferenca e plotësimit do të zhvillohet këtë javë në Gjenevë në prani të Andrew Mitchellit dhe ministrave të tjerë të Zhvillimit nga mbarë bota.

Duke synuar ndërlidhjen e ndarjeve të ndihmës humanitare, vetëm dy për qind e së cilës u shpenzua për arsimin dhe për ndihmën për zhvillim që vjen gjithmonë shumë vonë për t’u marrë si duhet me krizat e refugjatëve, ECW nga donatorët kërkon 1.5 miliard dollarë për të mbështetur planin e saj të ri strategjik: iniciativat që do të parandalojnë punën e fëmijëve, martesat e hershme dhe trafikimin; iniciativat që përfshijnë ofrimin e shkollave të sigurta në vendet ku Boko Harami ende rrëmben vajzat nga klasat; zgjerimi i mësimit online; si dhe shkollat me dy orare që u testuan në Liban, ku ndërtesat e shkollave përdoren në mënyrë më efektive duke u ligjëruar fëmijëve vendas në anglisht dhe frëngjisht në mëngjes, ndërsa pasdite fëmijëve refugjatë sirianë në arabisht.

Nga tragjeditë e patregueshme të kohëve të fundit dimë se shpresa vdesë kur karvanët e ushqimit dhe punonjësit e shpëtimit nuk mund të kalojnë në qytetet e rrethuara dhe kur varkat e dobëta që bartin refugjatët përmbysen në det. Shpresa gjithashtu vdesë kur fëmijët lihen jashtë arsimit dhe u mohohet mundësia për ta planifikuar dhe përgatitur të ardhmen e tyre. Në moshën 11, 12 dhe 13 vjeçe, të rinjtë duhet të jenë optimistë dhe të emocionuar për mundësitë e mëdha që kanë, por nuk mund të harroj as rrëfimet e punonjësve të bamirësisë në një kamp refugjatësh në Moria të Greqisë, të cilët zbuluan tre refugjatë në adoleshencën e hershme, aq të shkretuar saqë planifikonin vetëvrasjen e përbashkët. Për ta, prapa telave me gjemba në një kamp të ndotur pa shkolla dhe me shumë pak gjëra tjera, kishte vetëm zymtësi dhe dëshpërim.

Por, shpresa mund ngjallet edhe në vendet më të vështira dhe më pak premtuese në botë, nëse fëmijëve ua ofrojmë mundësinë e arsimimit. Është mënyra e vetme për të respektuar premtimin ende të papërmbushur të komunitetit ndërkombëtar të përcaktuar në objektivin e katërt të zhvillimit të qëndrueshëm – të jemi brezi i parë në histori ku çdo djalë dhe vajzë, me shtetësi ose jo, do të shkojë në shkollë. Siç na kujton vepra humane e Shazias, është gjithashtu detyrim moral që ia kemi borxh brezit të ardhshëm. Në vend që të zhvillojmë disa nga potencialet e vetëm disa fëmijëve në disa pjesë të botës, duhet ta zhvillojmë kudo potencialin e çdo fëmije. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Foda me shumë ndryshime: Formacioni i mundshëm i Kosovës për ndeshjen me Qipron

Foda me shumë ndryshime: Formacioni i mundshëm i Kosovës për ndeshjen me Qipron

Përfaqësuesja e Kosovës
Ronaldo befasoi me zgjedhjen e tij kur përmendi lojtarin më të mirë që ka parë ndonjëherë

Ronaldo befasoi me zgjedhjen e tij kur përmendi lojtarin më të mirë që ka parë ndonjëherë

Ndërkombëtare
Rritet numri i gropave në fushat e Turqisë, po i afrohen zonave të banuara

Rritet numri i gropave në fushat e Turqisë, po i afrohen zonave të banuara

Botë
AAK kërkon miratimin e Ligjit të Pagave dhe Sigurimeve Shëndetësore, premton pagë një mijë euro

AAK kërkon miratimin e Ligjit të Pagave dhe Sigurimeve Shëndetësore, premton pagë një mijë euro

Ekonomi
Kosova ndaj Qipros për fitoren e parë në Ligën e Kombeve

Kosova ndaj Qipros për fitoren e parë në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës
Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak, Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak, Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Lajme
Kalo në kategori