LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i Kodrës së Diellit optimist për sezonin e ardhshëm

Drejtori i Kodrës së Diellit optimist për sezonin e ardhshëm

Intervistoi: Aroma Aliti

Kodra e Diellit është njëra nga qendrat më të frekuantuara të skijimit gjatë periudhës dimërore në Maqedoninë e Veriut. Probleme të theksuara gjatë sezonit të kaluar ishin mungesa e parkingjeve si dhe kolonat e vazhdueshme të automjeteve në rrugën Tetovë-Kodër e Diellit. Duke qenë afër sezonit të ri, Telegrafi ka biseduar me drejtorin e Kodrës së Diellit, Adem Avziu, i cili flet më hollësisht per sfidat që ka hasur kjo qendër si dhe planet dhe parashikimet e tij për sezonin e ardhshëm.

Si drejtor i Kodrës së Diellit, si e prisni sezonin e ri të skijimit dhe me çfarë ndryshimesh në krahasim me sezonin e kaluar?
Sezonin e kaluar fatmirësisht e përmbyllëm me një sukses të jashtëzakonshëm për sa i përket numrit të skiatorëve dhe frekuentimit të Ski-Qendrës. E gjithë kjo ishte fal investimeve të bëra, aktiviteteve të shumta rinore që gjallëruan Kodrën e Diellit, por edhe sigurisht fal kushteve atmosferike. Mund të them që këtë sezon jam optimist që ky numër do të shumëfishohet.


Gjatë sezonit të kaluar janë hasur probleme me parkingjet në Kodrën e Diellit duke shkaktuar kështu dhe kolona të automjeteve në rrugën deri te kjo qendër skijimi. Por, sipas drejtorit të kësaj qendre janë organizuar transporte të veçanta pa pagesë për t`i shmangur këto probleme.

Gjatë sezonit të kaluar janë hasur probleme me parkingun dhe kolonat e shumta në komunikacion, a ka planifikime për shmangien e të njëjtave?
Sezonin e kaluar bëmë përpjekje maksimale nga ana jonë që të minimizojmë kolonat e shumta duke mundësuar shuttle transport me 2 furgone çdo 15 min nga vendet ku krijoheshin kolonat deri te Ski-Qendra dhe anasjelltas, si dhe vënies në përdorim të plotë të dy parkingjeve ekzistuese. Duke pasur parasysh që kjo gjë sezonin e kaluar edhe pse ndoshta nuk e evitoi plotësisht problemin, por gjithsesi dha efekt pozitiv në reduktimin e turmës dhe kolonave, këtë sezon kemi siguruar edhe një furgon, domethënë gjithsej 3, që do të sigurojnë shuttle transport për të gjithë vizitorët/skiatorët dhe i njejti edhe këtë sezon do të jetë pa pagesë.

A ka pasur dhe a do të ketë investime të reja në Kodrën e Diellit për këtë vit dhe vitet e ardhshme?
Që nga emërimi im si drejtor në Ski-Qendrën “Kodra e Diellit” janë bërë investime të shumta të cilat ndjeshëm kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve për dashamirët e sporteve dimërore.
Investime të realizuara:
– Ndërtimi i dy mini objekteve hotelierike në Ski-Qendrën Kodra e Diellit
– Ndërtimi i pesë tualeteve publike
– Asfaltim i rrugës që lidh shtigjet e skijimit me parkingun e Qendrës së Skijimit
– Riparim i shtyllave të dëmtuara të çelikut të dyulëses “Ceripashina” dhe lëshimi i saj në përdorim pas një kohe shumë të gjatë
– Sistem i ri i ndriçimit të shtigjeve të skijimit duke mundësuar 2 km shtigje të reja për skijim nate
– Shënjim i shtigjeve të skijimit – vendosja e shenjave përveç orientimit të skiatorëve, ka për qëllim edhe sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes, si të skiatorëve, ashtu edhe të këmbësorëve nëpër shtigje. Me shënjimin e shtigjeve të skijimit Kodra e Diellit mori pamje dinjitoze si destinacion turistik atraktiv dhe konkurrues në rajon.
– Rekonstruim dhe izolim i të gjitha objekteve ekzistuese pranë ski-ashensorëve
– Ndërtim i shkallëve për këmbësorë për zbritje/ngjitje deri në shtigjet e skijimi
– Shpërndarja e rrjetit optik në të gjitha hyrjet e ski-ashensorëve, në mënyrë që leximi i ski-biletave të jetë më efikas
– Për herë të parë kemi bërë aktivizim të linjës telefonike pa pagesë 15767 si instrument që ka për qëllim të informojë vizitorët dhe të referojë nevojat e tyre në shërbimet përkatëse të Ski-Qendrës. Gjegjësisht, përveç informimit, kjo linjë ka për qëllim edhe sigurinë e skiatorëve, posaçërisht kur ata ndodhen në situatë rreziku.
Në këtë mënyrë është bërë një transformim i jashtëzakonshëm i Kodrës së Diellit duke e shëndërruar në një Ski-Qendër të zhvilluar pa i cënuar asnjë gjë që reflekton Kodra e Diellit.

A është në plan së shpejti edhe hyrja në funksion i teleferikut Tetovë-Kodër e Diellit?
Çështja e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit është një nga pikat kryesore për të cilat do të vijojnë negociata me investitorin strategjik në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje dhe i njejti të vendoset në funksion.

Sipas drejtorit, çmimet e biletave janë të volitshme duke pasur parasysh efektet e krizes globale. Ndersa, çmimet kanë pasur rritje minimale.

A mendoni se çmimet e biletave për skijim janë të volitshme duke krahasuar standardin në vendin tonë dhe kushtet që ofrohen në këtë qendër skijimi?
Duke patur parasysh efektet e krizës globale, si energjetike ashtu edhe ekonomike, çmimet e biletave të skijimit kanë pësuar rritje minimale në krahasim nga sezoni i kaluar. Deri më tani Ski-Qendra “Kodra e Diellit” i ka miratuar vetëm çmimet për ski-biletat sezonale dhe të njejtat janë më të volitshmet në tërë rajonin. /Telegrafi/