LAJMI I FUNDIT:

Elon Musk do të largohet nga pozita e CEO-s së Twitter kur të gjejë zëvendësuesin e tij

Elon Musk do të largohet nga pozita e CEO-s së Twitter kur të gjejë zëvendësuesin e tij

Elon Musk ka thënë se do të japë dorëheqjen nga posti i shefit ekzekutiv të Twitter kur të gjejë dikë “mjaft budalla për të marrë këtë detyrë”.

Miliarderi premtoi më herët se do t’i përmbahej rezultatit të një sondazhi në Twitter, ku 57.5 për qind e përdoruesve votuan “po” për largimin e tij nga roli.

Ai thotë se do të vazhdojë të drejtojë ekipet e softuerit dhe serverëve pasi të gjendet zëvendësimi i tij, transmeton Telegrafi.


Ndryshimet në platformë janë kritikuar shumë që kur bleu Twitterin.

Që kur Musk bleu faqen e mediave sociale në tetor, ai ka shkarkuar rreth gjysmën e stafit të saj dhe ka tentuar të përdorë veçorinë e verifikimit me pagesë të Twitter përpara se ta vendosë atë në pauzë. Funksioni u ri-lansua javën e kaluar.

Grupet e lirive civile kanë kritikuar gjithashtu qasjen e tij ndaj moderimit të përmbajtjes, duke e akuzuar atë për marrjen e hapave që do të rrisin gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Të premten, Musk u dënua nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për vendimin e Twitter për të pezulluar disa gazetarë që mbulojnë firmën e mediave sociale.

OKB-ja postoi në Twitter se liria e medias “nuk ishte një lodër”, ndërsa BE-ja kërcënoi Twitterin me sanksione.

Kjo është hera e parë që multimiliarderi i është përgjigjur sondazhit të nisur të dielën duke pyetur nëse ai duhet të japë dorëheqjen. Gjetja e dikujt që të marrë përsipër platformën e mediave sociale mund të jetë një sfidë, sipas Musk. Disa njerëz spekulojnë se bashkëthemeluesi i Twitter Jack Dorsey gjithashtu mund të kthehet për të drejtuar kompaninë. Ai dha dorëheqjen si shef ekzekutiv në nëntor 2021.

“Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter gjallë”, shkroi ai në Twitter pas sondazhit.

Emra të tjerë të përmendur si zëvendësues të mundshëm përfshijnë Sheryl Sandberg, ish-shefja operative e Facebook, Sriram Krishnan, inxhinier dhe mik i besuar i ngushtë i Musk, dhe Jared Kushner, ish-këshilltar presidencial i SHBA-së dhe dhëndri i Donald Trump.

Në të kaluarën, Musk i është bindur sondazheve në Twitter. Atij i pëlqen të citojë frazën latine “vox populi, vox dei” që përafërsisht do të thotë “zëri i popullit është zëri i Zotit”.