LAJMI I FUNDIT:

“E DI KU JANË TË GJITHA BUKURITË …”

“E DI KU JANË TË GJITHA BUKURITË …”

Poezi nga: Gregory Corso
Përktheu: Fadil Bajraj

E di ku janë të gjitha bukuritë
Sall shiko poshtë, është te këmbët tua,
është lart përpara; është matanë rrugës –

Do të të fus në diçka;
Ka më shumë çfarë nuk është se çfarë është


Edhe një gjë tjetër;
Nuk ka asgjë që mund të të them që ti nuk e di tashmë
Përndryshe si do të mund ta kuptosh atë që po them?
Gjithçka që po bëj është të ndriçoj atë që tashmë është në kokën tënde

Pasi vendosën formën ekonomike në vend
Kumbarat do t’u buzëqeshin
foshnjave të fjetura të Zotit…
Deficitet e grumbulluara nga baballarët e tyre
do të kenë të niveluar fushën monetare
dhe ata që dikur u buzëqeshnin foshnjave
do të skejtbordojnë autostradës Miltonike në qiell
me Birin e Dritës që ende bluan me mend në teh
Si inflacioni shpirtëror ashtu edhe ai kozmik do të lulëzojnë
Zgjerimi gjithnjë do t’i bashkohet deflacionit të lëndës së zezë
Vrimat e Zeza do të nxjerrin kuazarët
nga pjesa e gjerë për të arritur në pikën e fundit të saj –

Po ta kisha zënë çimkën e ndritshme me krahë
më vonë se sa më herët
qelibari i butë do të ishte ngurtësuar
dhe një trofe të bukur do të kishin pasur gishtat e mi
– Në vend të saj në vapën e mesditës
qelibari gëlltiti çimkën
të rrafshuar në një medaljon insekti të përzhitur
me deformim të tmerrshëm

më duhet ende të përballem
me atë që janë përballuar të gjithë shpirtrat e mëdhenj që dua
të cilët kanë jetuar para meje

si dhe të gjithë ata të mëdhenjtë që kam njohur
dhe që i kam dashur hiç më pak
unë ende duhet të kaloj nëpër atë që ata kanë kaluar
Vdekje

Unë nuk qaj për të vdekurit
Unë qaj për të gjallët
Për veten time
Ata e kanë dhënë provimin –

Kur qajmë për të vdekurit
ne qajmë për veten tonë
E vetmja gjë që ka rëndësi për mua nga e gjithë kjo është
Se pavarësisht a më kanë dashur a jo
ata do t’i kursejnë lotët për mua –