LAJMI I FUNDIT:

NTP Shkup ndërpret marrëveshjen me transportuesin privat “Makekspres”

NTP Shkup ndërpret marrëveshjen me transportuesin privat “Makekspres”

Ndërmarrja e transportit publik – NTP Shkup informon se sot ka ndërprerë kontratën me transportuesin privat “MAKEXPRES”, ndërsa linjat në të cilat funksiononin autobusët privatë tani do të zëvendësohen me autobusët e NTP Shkup, në mënyrë që transporti i udhëtarëve të vazhdojë pa ndërprerje.

Nga Bashkia e Shkupit thonë se arsyeja e ndërprerjes së kontratës me kompaninë private “MAKEXPRES” është mosrespektimi i detyrimeve të kontratës, të cilat rregullojnë kushtet për mënyrën e transportit publik.

“Me keqardhje konstatojmë se “MAKEXPRES” deri në momentin e zgjidhjes së kontratës nuk ka arritur të sigurojë autobusë të modernizuar me standarde të përshtatshme mjedisore, nivel bazë të higjienës në autobusë dhe rregullsi pa vonesa në stacionet e autobusëve. Të gjitha këto ankesa janë theksuar nga qytetarët, gjë që dëmton tërësisht imazhin e transportit publik në kryeqytet”.


“Edhe një herë theksojmë se transportin e udhëtarëve në linjat e mbuluara më parë nga “MAKEXPRES” e merr NTP Shkup me autobusët e saj”, thonë nga NTP Shkup.

Ndryshe, më herët kompania private mbajti grevë duke e bojkotuar transportin publik, për shkak të borxhit që i kishte Bashkia e Shkupit./Telegrafi/