LAJMI I FUNDIT:

Kurti takon Latifin një ditë pas dorëheqjes, e falënderon për kontributin e dhënë në shëndetësinë e Kosovës

Kurti takon Latifin një ditë pas dorëheqjes, e falënderon për kontributin e dhënë në shëndetësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur këtë të premte në takim ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, një ditë pas dorëheqjes së tij.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti ka shprehur mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e tij.

“Ai falënderoi Dr. Rifatin që nuk ka kursyer jo vetëm dijen e përvojën e tij, por edhe kontaktet e shumta ndërkombëtare, për ta ndihmuar e avancuar sektorin dhe sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Kryeministri i dëshiroi suksese në vijim, dhe shprehu vullnetin për mënyra të tjera për bashkëpunim në të ardhmen”.


“Duke e falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, Dr. Rifati shprehu gatishmërinë e tij dhe u zotua për vazhdim të mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë”, thuhet në komunikatën për media.

Njëkohësisht, Kryeministri Kurti bëhet e ditur se ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku për ushtruese të detyrës së Ministres në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndryshe, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë të enjten.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Latifit, të publikuar nga Telegrafi. /Telegrafi/